Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Arteve, përfaqësuar përkatësisht nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Rektori i UA, Kastriot Çaushi, firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka si qëllim zbatimi e ‘Paktit për Universitetin”, duke përcaktuar rregulla, përgjegjësi dhe detyrime konkrete për secilën nga palët. Një nga lajmet e mira, që vjen si rezultat i këtij pakti, është edhe rehabilitimi i sallës së madhe të shfaqjeve të UA.
“E kemi strukturuar këtë dialog më solid edhe jemi më të vetëdijshëm për hapat e ndërmarrë, nevojat, edhe jo vetëm për infrastrukturën. Ky nënshkrim i sotëm është një pasazh, që do të përcillet edhe me nënshkrime të tjera bashkëpunimi me institucione të ndryshme. Në këtë kuadër kemi kryer përtej UA-së edhe takime të tjera, sidomos me partnerët që na kanë mbështetur në sfidën tonë madhore, për restaurimin e sallës. Do të kisha dashur që të vinim sot edhe me atë marrëveshje të nënshkruar, vetëm se hapat janë zgjatur më shumë për arsye burokratike. Hapi i parë do të jetë për projektin e mirëfilltë, edhe koston finale të restaurimit të sallës së Arteve”, tha Margariti, duke shtuar se projekti do të përfshijë ndërhyrjet inxhinierike, akustike, etj. Sipas saj, në muajin qershor do të publikohet dhe lista e plotë e projekteve të përbashkëta. “Ka qenë një sfidë e madhe, për të mbledhur të gjithë listën e nevojave”, tha ajo.
Nga ana tjetër, rektori Çaushi u shpreh se “Lëvizja e studentëve na vuri në lëvizje për të parë realitetin me një sy tjetër, shumë më realist se më parë, shumë më objektiv edhe konkret… Është shumë e rëndësishme, që MK na është përgjigjur në një bashkëpunim konkret, sepse ne kemi plotësuar disa detyra që na janë kërkuar, siç janë kërkesa konkrete për të parë jo vetëm infrastrukturën tonë, që është e vjetruar, e krijuar para çlirimit, salla, por edhe për laboratorë, instrumente edhe bibliotekë, si edhe lidhje me institucione të tjera, TKOB apo TK, që të krijohet një kompleks i tërë midis institucioneve”.
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje:

• Palët ngrenë grupet ndërinstitucionale të punës, të dedikuar për koordinimin e punës me Universitetin, për koordinimin e punëve për implementimin e dokumentit “Pakti i studentëve;
• Ministria mbështet Universitetin me pjesëmarrjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve tё Kulturës në vlerësimin e problematikave infrastrukturore si dhe të bashkërendojë punën me institucionet e tjera shtetërore;
• Ministria angazhon institucionet e saj të varësisë në fushën e artit dhe kulturës për të krijuar bashkëpunimet në nivel institucional me departamentet e ndryshme të Universitetit sipas specifikave për platforma dhe programe për studentët;
• Palët bashkëpunojnë me Universitetin gjatë zhvillimit të konceptit dhe hartimit të projekteve të ndryshme për të cilat palët bien dakord që do ti bashkërendojnë;
• Ministria ndihmon universitetin për ngritje fondesh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.{:}