Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë znj. Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino  pritet të nënshkruajnë këtë javë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë. Marrëveshja do të nënshkruhet në Torino në datën 11 dhjetor 2015.

Kjo marrëveshje merr rëndësi të veçantë duke patur parasysh rolin e rëndësishëm që luan Bashkia e Torinos në fushën e promovimit të artit dhe të kulturës dhe titullin Creative City për kategorinë e Design-it, që i është dhënë Qytetit të Torinos nga UNESCO, duke patur gjithashtu parasysh angazhimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorin e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, si edhe për të forcuar lidhjet e miqësisë së sinqertë mes dy vendeve dhe dy popujve.

Vetëm një vit më parë Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro zhvilloi  një vizitë pune në Torino, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së qytetit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Bashkive Italiane (ANCI) Piero Fassino, vizitë e cila synonte nxitjen dhe konsolidimin e marrdhënieve të bashkëpunimit në fushën e artit dhe të kulturës mes Shqipërisë dhe kësaj pjesë të rëndësishme të territorit të veriut të Italisë.

Torino është një prej kryeqendrave të artit dhe të kulturës italiane. Qyteti numëron ndër të tjera mbi dyzetepesë muze, shumë prej të cilëve me famë botërore, Teatro Regio-n, tempullin e muzikës operistike italiane, Panairin Ndërkombëtar të Librit, ndër më të rëndësishmit në Evropë dhe shumë veprimtari e festivale të tjera të nivelit ndërkombëtar, në fushat e artit kontemporan, kinematografisë, muzikës, etj.

11 dhjetor 2015, Torino{:}