Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Stafi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pa asnjë hezitim iu përgjigj kërkesës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të dhuruar gjak në fushatën “Mjaftojnë vetëm 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë”, një nisme kjo që iu vjen në ndihmë fëmijëve talasemikë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja falënderoi të gjithë ata kolegë që ishin në gjendje të bëheshin pjesë e kësaj kauze kaq fisnike, humanitare dhe qytetare, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për stafin e përkushtuar të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, për gjithë profesionalizmin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre humane.