Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Ktë punë nëse e don, e ban, në të kundër nuk munesh me e ba”. Kështu thotë ajo teksa të prezanton një  për një me kukullat e ekspozuara në muret e godinës, që në krye të herës është ndërtuar si “skenë” politike. I njeh me emra, vite dhe të gjithë autorët e tyre. Të parin na prezanton Kacamisrin. “Çdo shtet ka personazhin e vet dhe ne kemi Kacamisrin”, thotë ajo, duke të të futur në një botë imagjinate, ku kafshë e sende flasin.

Ariu, Çufoja, Tipi, Pinoku, ujku, dhelpra, lejleku…. Personazhet e përrallave, ata pak që kanë mbetur, janë aty si dëshmitarë se edhe ne dikur kemi qenë fëmijë.

Kur erdhi për së pari në Teatrin e Kukullave, e pati të vështirë të gjente veten. Nisi të merrej me arkivin, të sistemonte kukullat, të merrej me skenografi, të ndërtonte tavanin e skenës, të vinte pak rregull në atë institucion me shumë pasuri, por të lënë pas dore, deri sa nisi të krijonte edhe vetë personazhe për të vegjlit. Merita Spahija ka punuar 18 vjet në Teatrin e Kukullave, ka bërë gjithfarë punësh në atë institucion, duke i kushtuar orë pa fund e duke mësuar t’i dojë këto personazhe. “Shih sa i mirë që është, si rrapatush”, thotë, teksa na tregon një derrkuc rozë, të lehtë pupël.

“Kam ardhur aksidentalisht, për të ndenjur për pak kohë. Nuk isha e dhënë pas kukullave, edhe pse jam rritur me teatrin. Teatri ‘Migjeni’ është n’oborr t’shpis seme”, thotë ajo. Po fakti që vinte nga bota e artit, e ndihmoi që ta afronte institucionin më pranë teknologjisë së kohës. “Mu duk shumë i vjetruar. Ata ishin akoma me makinë shkrimi. Drejtorja e asaj kohe, Elvira Diamanti më ndihmoi shumë, për të hapur tavanin, për t’i dhënë arie e për ta bërë si skenat e të gjithë teatrove. Nuk ishte e lehtë e ndoshta nuk e kemi realizuar në masën 100%, por arritëm të përmirësonim skenën dhe të afroheshim me teknologjinë e kohës”, thotë Merita, duke të të shëtitur nëpër teatër.

Muret e hollit janë mbushur me kukulla, me fytyra karakteresh dhe fotografi të themeluesve dhe aktorëve kryesorë, përgjatë gjithë historisë së Teatrit të Kukullave.

Një ndër punët e shumta me të cilat është marrë në teatër është sistemimi i arkivit dhe tash ajo e njeh historinë e tij, në majë të gishtave. Kanë kaluar aty shkolla nga më të ndryshmet, të Lindjes e Perëndimit, që nga Kel Kodheli, që mbahet si babai i teatrit të kukullave dhe që solli kulturën italiane, atë me petrushka, që futen në dorë, por kokat janë të palëvizshme, për të vijuar me mjeshtrin Tonin Shiroka, që kaloi një kohë të gjatë në teatër. “Tonin Shiroka solli shkollën ruse, ai e çoi traditën një shkallë më tej. Ishte ai që futi karakteret në teatër, krijoi shfaqjet me gropë, me kukulla me tela”, vijon ajo. Më pas erdhi Lavdije Toro, Romeo Çani, që realizoi kukulla shumë moderne për kohën, për të vijuar me artistët më të rinj, si Ilir Dragovoja, Klaudia Hila, e Matlinda Mehmetaj, që për Spahinë, është trashëgimtarja më e mirë e traditës së lojës me kukulla.

Të realizosh një kukull, sidomos karakteri, sigurisht që nuk është e thjeshtë. Merita thotë se nuk ka kosto shumë të lartë, por kërkon shumë orë pune e durim. “Një shfaqje me kukulla do të paktën 3 muaj kohë, sepse gjithçka është manuale, sepse çdo proces do kohën e vet. Jashtë ka lehtësira, mund të blesh pjesë, kurse këtu te ne gjithçka realizohet në mënyrë primitive dhe kjo ka edhe mundin më të madh. Kur bën një kukull duhet të njohësh tekstin, ndërsa duhet të krijosh një raport shumë të mirë me regjisorin, për të kuptuar idenë e tij. Jo detyrimisht ai ka nevojë për një lepur të tërë, por vetëm veshët e lepurit”, thotë ajo. Me kohë, teknikat e realizimit të kukullave kanë ndryshuar. Kukullat kanë fituar më tepër karakter, ose janë bërë edhe më abstrakte.

“Edhe pse sot janë shkrirë kufijtë mes skenografit, kostumografit, realizuesit të kukullave, ai vazhdon të jetë një zanat. Unë nuk e kam pasur zanat, por vetëm prej dashurisë e kam mësuar, pasi jemi rritur me teatrin. Kam studiuar për grafikë, kam bërë skenografi, por kam bërë edhe kukulla, mes të cilave edhe “Shtatë kecat dhe ujkun”, të cilët doja t’i sillja ndryshe, t’i ngjisja në paravan, por duke ruajtur strukturën e kukullës me tela. Nuk doja të bëja butafori, por një mulazh me letra”, shton ajo teksa të drejton për tek dhomëza ku përgatiten dhe ruhen kukullat.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë laborator, por një dhomëz, ku punohet me mjete thuajse rrethanore. Aty gjejmë edhe Kujtimin, i cili prej 26 vjetësh monton kukulla, realizon butafori, skena… “Dikur punoja në Dekorin e Qytetit, pastaj erdha këtu. Është një punë që kërkon shumë durim, por edhe fantazi. Nuk mund të thuash se kemi shumë materiale për të punuar, prandaj shfrytëzojmë gjithçka mundemi. I blejmë në tregje, i sjellim nga shtëpia, susta, goma, topa pingpongu, mentesha…”, thotë Kujtim Goxhaj, duke qeshur e duke shkëmbyer batuta me Meritën, për shkak të rrangullave që u zë dora, për t’i përdorur për kukullat.

Gjithçka e bëjnë nga dashuria për zanatin, për fëmijët, që ata të argëtohen, por edhe të mësojnë. Kujtimit i duhet edhe një vit të dalë në pension, ndërsa Merita sot jep mësim në Universitetin e Arteve. Shpresojnë në kushte më të mira për Teatrin e Kukullave dhe të trashëgohet zanati i kukullabërësit dhe lojës me kukulla, si pjesë e një ëndrre të përjetshme të njerëzimit.

 

{:}