Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përfaqësuar nga Zëvendësministrja znj. Blerta Rama, mori pjesë në takimin e 8-të Rajonal të Platformës së Tregtisë dhe Investimeve të Unionit për Mesdheun, i cili u mbajt sot në Bruksel. Ky takim mblodhi përfaqësues të tregtisë nga shtetet anëtare të 🇪🇺Bashkimit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Procesit të Barcelonës.
Nën drejtimin e Komisionit Evropian, në këtë takim u diskutuan çështje të lidhura me tregtinë, si rregullat e origjinës preferenciale në kuadër të Konventës Rajonale PEM, të cilat Shqipëria i ka miratuar dhe tani po punon për miratimin e dispozitave tranzitore për vazhdimësinë e lehtësimit të tregtisë me partnerët tregtarë, deri në hyrjen në fuqi të rregullave të rishikuara në kuadër të Unionit për Mesdheun.
Një fokus i rëndësishëm i takimit ishin zhvillimet në kuadër të negociatave në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për dy marrëveshje të reja:
🔹Marrëveshja për Lehtësimin e Investimeve dhe Zhvillimin
🔸Marrëveshja për Tregtinë Elektronike.
U theksua roli i këtyre marrëveshjeve në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë, krijimin e një mjedisi më të besueshëm ndërkombëtar për investimet dhe tregtinë elektronike, si dhe intensifikimin e investimeve.