Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Kulturës shpalli muajin korrik, si “Muajin e Bibliotekës”. Në datën 10 korrik mbushen 100 vjet që nga vendimi për ngritjen e këtij institucioni. Një vendim i marrë në Kongresin e Lushnjes.

Ky muaj do t’i kushtohet Bibliotekës Kombëtare, përmes aktivitetesh të ndryshme, si ekspozita, prezantime projektesh të reja dhe homazhe për figura të shquara të letërsisë shqipe.

“Viti 2020 duhet të ishte një festë e madhe për Bibliotekën Kombëtare. Plot 100 vjet më parë u themelua ky institucion i rëndësishëm, që lindi bashkë me Tiranën kryeqytet.

Por na u desh të përballeshim me një vit të pazakontë, që do të kufizonte raportin e institucioneve kulturore me publikun.

Por ne nuk duhej ta humbisnim atë, ndaj edhe punuam fort për ta mbajtur, për të gjetur rrugë të tjera komunikimi, përmes platformave on line dhe formulave të tjera të bashkëpunimit.

Nga ana tjetër këto muaj distancimi social na vlejtën që të fokusohemi në disa aspekte të punës sonë, që marrin edhe më shumë rëndësi në kushtet e reja.

Për Bibliotekën Kombëtare kanë qenë muaj të një pune intensive dhe i jam mirënjohëse çdo punonjësi të këtij institucioni, që punoi fort që në këtë vit jubilar, BK të kishte një sistem të ri të integruar bibliotekar, realizuar për herë të parë në Shqipëri nga një kompani shqiptare, sipas të gjitha standardeve europiane”, është shprehur Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.