Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti priti një përfaqësi të Sindikatës së Pavarur të Artistëve. Presidenti i Sindikatës, Reshat Ibrahimi i parashtroi Ministres shqetësimet e artistëve, lidhur me Statusin e artistit, moshën e pensionit dhe Ligjin Për Artin dhe Kulturën. Ibrahimi kërkoi uljen e moshës së pensionit për një kategori artistësh, si balerinë, instrumentistë, etj., dhe po ashtu rishikim të Ligjit. Edhe përfaqësuesit e Sindikatave të TKOB, Cirkut, Teatrit Kombëtar etj., parashtruan kërkesat e tyre për orët e punës, pagesat e artistëve, buxhetet, të ardhurat nga biletat etj. Ministrja Margariti u shpreh se do të duhen të tjera takime për të gjetur zgjidhjen e duhur, për problemet e parashtruara, me prezencën edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të linjës, në mënyrë që zgjidhja të mos mbetet thjesht në një premtim në letër, por të konkretizohet me hapa konkretë.{:}