Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=3063]

 

KA NISUR NË TIRANË  NË DATAT 13-15 KORRIK “KONFERENCA E AMBASADORËVE 2016”.  KONFERENCA ZHVILLOHET NË  MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, KU NË NJË NGA PANELET U DISKUTUA NË NJË  BASHKËBISEDIM MBI DIPLOMACINË PUBLIKE DHE KULTURORE.

Në Panelin “Përtej diplomacisë klasike” morën pjesë  znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës

dhe Ardian Paci, Artist shqiptar i artit bashkëkohor botëror.

Ministrja Kumbaro e nisi fjalën e saj duke përmendur modelin gjerman. “Steinmeir zgjodhi ta hapte nën shenjën e kulturës Konferencën e marrjes së Presidencës së OSBE nga Gjermania,  titulluar:

“Kultura e dialogut dhe dialogu i Kulturës. T’i kuptojmë shkëmbimet kulturore si element të sigurisë dhe të stabilitetit në hapësirën e OSBE”. Kjo është presidenca gjermane e OSBE sot. Nuk hezitova ta marr Gjermaninë si shembull, sepse më ka bërë përshtypje qasja gjithmonë e më kulturore e Gjermanisë në politikën e jashtme. Modeli i Traktatit të Elysee-së me Francën është në fakt modeli që po ndiqet për Ballkanin, me konektivitetin, me programet rinore, dhe mbështetjen që u japin projekteve kulturore në Ballkan. – shembulli i Tradukit. Dhe, nëse kjo temë është ngjitur mjaft në shkallën e rëndësisë, e tregon edhe fakti që për të parën herë MPJ vendos të organizojë një panel kushtuar diplomacisë kulturore”.

Detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon tradicionalisht diplomacisë kulturore, si një mjet i domosdoshëm për të siguruar një marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e tjera, falë promovimit në nivel ndërkombëtar të jetës kulturore përmes mjeteve të diplomacisë tradicionale, si edhe gjithnjë e më shumë asaj publike dhe digjitale.

“Unë nuk mund të flas në emër të gjithë njerëzve të kulturës, por po të marrim vetëm artet vizive, mund të themi se këto 20 vite Shqipëria,  si asnjëherë tjetër në historinë e vet, ka patur artistët e saj me ekspozita personale e kolektive në muzetë, galeritë, eventet më të rëndësishëm të artit botëror. Asnjëherë si këto 20 vitet e fundit nuk është  folur për Shqipërinë dhe artin e artistët e saj në ambientet më prestigjioze të artit nga Metropolitan Museum, në Tate Modern, Nga Neë Museum, në Pompidou, nga Bienalet Europiane tek ato të Azisë, apo Amerikës Latine. Në suksesin e artistëve shqiptarë shteti shqiptar nuk ka patur kurrfarë merite e ky nuk është një faj, mbasi nuk ka artist të respektueshëm,  që e ndërton suksesin e vet nëpër korridoret e burokracisë shtetërore”.

Ministrja Kumbaro , duke folur më tej në fjalën e saj, ndau të njëjtin mendim me artistin Paci, duke shtuar atë që duhet të bëjnë institucionet në favor të diplomacisë kulturore. Të gjithë bashkë duke synuar krijimin e një sistemi, që nis me dhënie-marje të informacionit dhe deri në lobime për pjesëmarje në ngjarje cilësore dhe të rëndësishme të artit dhe kulturës. “Roli i kulturës në përmirësimin, apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm në përgjithësi, por edhe për t’u ndërgjegjësuar se sot është produkti më i mirë, më i stabilizuar që mund të tregojmë dhe madje kemi vite që këtë eksporton Shqipëria më cilësi të lartë madje shumë të lartë. Kultura shfrytëzon referencat e përbashkëta mes popujve, sepse ka kontekste historie të përbashkët me vendet europiane. Kultura ishte para politikës së ditës, para ekonomisë dhe borxheve”.

 

Artisti Adrian Paci vazhdoi me fjalën e tij duke u shprehur se : “Nganjëherë mbështetja për artin konceptohet nga selitë tona diplomatike si një çështje muresh, apo sallash. Ne duhet ti ruhemi transformimit të selive tona diplomatike në pseudo salla ekspozitash, apo ambiente të improvizuara muzikore,  apo letrare. Mendoj se një artist shqiptar nuk ka nevojë  të promovohet në sallat e ambasadave, por të gjejë mbështetje nga ambasadat në rrugëtimin e tij në ambientet profesionale te artit dhe kulturës botërore.  Sigurisht qëllimet e mira janë të nevojshme për të nisur një proces, por ato nuk mjaftojnë. Ndoshta duhet menduar të krijohet një strukturë dhe fond i përbashkët mes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për mbështetjen e artit dhe kulturës shqiptare në botë, një fond që, mendoj se duhej të mbrohej e të mbahet sa më larg nga banaliteti i pseudokulturës, pasi të gjithë e dimë se më të zellshmit për t’iu turrur zyrave të shtetit, për të marrë në dorë  flamurin e kombit, për të thurrur vargje patetike e mbushur formularë të mërzitshëm, janë përgjithësisht njerëzit mediokër”.

Ministrja Kumbaro theksoi edhe njëherë rolin e  kulturës  në përhapjen e imazhit të një vendi që po ndryshon dhe ka identitetin e vet kulturor , me artistë që “25 vjet më pas roli i artistëve tanë tregon se ia kanë dalë vetëm falë këtyre cilësive. Këtë javë, kemi kaq shumë shqiptarë të kulturës që na bëjnë krenarë:  Ermonela Jaho ne Francë; Ekspozita në Ludwig Museum në Budapest me artistët bashkëkohorë të arteve pamore, Saimir Pirgu në Barcelonë, Roland Sejko në Romë (Kalorës i Urdhërit të Yllit nga Presidenti Italisë); Pavijoni shqiptar në Venecia; Dua të kujtoj se jehonën e tyre për imazhin e Shqipërisë në botë nuk e bëjmë dot  të gjithë bashkë këtu në një javë,  vetëm me politikë.

Çdo event i tyre është një rast i jashtëzakonshëm për ne.  Shteti shqiptar nuk ishte pranë tyre dhe nuk i ndihmoi kur ata startuan, duke marrë përsipër vështirësitë e natyrshme të emigrimit dhe paragjykimet e pasaportës shqiptare. Ata ia dolën vetëm falë punës dhe talentit. Sot është shteti që ua ka nevojën. Prandaj,  nëse nuk i ndihmuan kur u duhej,  të  paktën t’i falenderojmë tani që janë gjithmonë të gatshëm të na ndihmojnë”- u shpreh Kumbaro.

Artisti Ardian paci përfundoi fjalën e tij duke u shprehur se “ Sigurisht që për të bërë çdo punë të mirë duhet dije, pasion, intuitë por edhe elegancë e durim. Kultura nuk bëhet me fushata e me aksione. Ajo kërkon ndërgjegjësim se gjithseicili vë një gur të vogël në një ngrehinë që të tjerë na e kanë lënë e të tjerëve do jua dorëzojmë. Vënia në dialog e kulturës shqiptare me atë botërore kërkon dyfishimin e kësaj ndjenje të modestisë, por edhe ngulmimin për ta mbushur atë boshllëk që për shumë vite e ndërpreu komunikimin normal mes nesh dhe pjesës tjetër të globit. Vendosja e këtyre urave të komunikimit mbetet akoma një sfidë për kulturën shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptare”.{:}