Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4622]

Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro kryeson delegacionin shqiptar që merr pjesë në kremtimet e 2500-vjetorit të themelimit të qytetit të Yangzhout në  Republikën Popullore të Kinës nga data 28 shtator-2 tetor 2015.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kinë, Ministrja Kumbaro u prit sot nga Kryetari i Bashkisë së qytetit Yangzhou, z. Zhu Mingyang.  Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e përbashkëta  dhe shkëmbimet e drejtpërdrejta midis institucioneve kulturore si dhe bashkëpunimin në fushën e shërbimeve publike kulturore, të teknologjisë, industrisë kulturore, ruajtjen e trashëgimive kulturore, duke shtuar edhe shkëmbimet kulturore midis të rinjve.

Yangzhou, kohët e fundit,  po zhvillon marrëdhënie të posaçme me Shqipërinë duke  intensifikuar marrëdhëniet edhe në fushën e investimeve.  Në kuadër të këtyre marrëdhënieve është nënshkruar memorandumi  bashkëpunimit mes qytetit të Vlorës dhe qytetit Yangzhou. Memorandumi ndërmjet dy qyteteve të binjakëzuara përfshin  bashkëpunimin në fushën e turizmit, arsimit dhe infrastrukturës.

Ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh nga ana e saj se marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës dhe miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë do të shndërrohen në projekte konkrete bashkëpunimi, jo vetëm në kulturë, por  edhe në fushën ekonomike, për të bërë të mundur tërheqjen e sa më shumë investimeve kineze në Shqipëri. Ministrja e Kulturës u shpreh se bashkëpunimet kulturore me Kinën do të zhvillohen edhe më tej në kuadër të nismës 16+1.

Nisma 16+1 u krijua në vitin 2013 ku 16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) ndërmorrën  një nismë bashkëpunimi me Kinën, për projekte të përbashkëta, përfshirë edhe kulturën.

Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe Kina kanë nivel të afërt zhvillimi dhe një potencial të madh bashkëpunimi. Shtimi i bashkëpunimit me vendet në Evropën Qendrore e Lindore pasqyron strategjinë e Kinës për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet evropiane.

Në kuadër të vizitës së saj në Kinë,  Ministrja Kumbaro dha një intervistë për Radion e Jashtme të Pekinit ku rikonfimoi edhe njëherë  se marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës  do të kthehen shumë shpejt në aksione konkrete. Ajo prezantoi në intervistën e saj  hapat transformues në politikat dhe strategjitë e  Ministrisë së Kulturës në fushën e trashëgimisë, artit, investimet e reja në kulturë, programet për edukimin përmes artit , diplomacinë kulturore, etj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në forumin e kulturës, i mbajtur me rastin e kremtimit të 2500- vjetorit të krijimit të qytetit Yangzhou, ku merrnin pjesë personalitete të larta në vend.

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ministrja Kumbaro vazhdon vizitën zyrtare në Republikën  Popullore të Kinës deri në datën  2 tetor 2015.{:}