Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=5001]

Në qytetin e Ulqinit  është hapur më 26 korrik Panairi i 15 i librit,  në të cilin janë ekspozuar rreth 3500 tituj.

Këtë manifestim e hapi kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka i cili tha se ky panair është kthyer në një  ngjarje kulturore rajonale.

 

Në këtë aktivitet ishin ftuar edhe personalitetet e larta,  të cilët folën në hapjen solemne: kryetarët e Kuvendeve të Malit të Zi dhe Shqipërisë Ranko Krivokapiq dhe Ilir Meta, si dhe ministrat e kulturës të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës Pavle Goranoviq, Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kujtim Shala.

Krivokapiq u shpreh se Ulqini me këtë manifestim ka vërtetuar jetën në libër, ndërsa Meta tha se fuqia të cilën e sjell libri është dija, bashkëpunimi, kultura dhe toleranca.

 

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi  u shpreh në fjalën e  saj se libri i përket një toke të lirë e pa kufij administrativë.  “Libri e letërsia në veçanti janë tokë e lirë, ku sundon mendja e hapur e pa kufij të ndarë, është hapësirë njohjeje, thellimi, mirëkuptimi e tolerance. Historitë e librave duke nisur nga ato të autorëve të dikurshëm e deri tek autorët e sotëm kanë përbërë nyjen lidhëse edhe të popujve fqinjë ballkanas, ku mitet dhe legjendat të emërtuara ndryshe sa në një gjuhë në tjetrën, kanë ruajtur thelbin e domethënies së përbashkët. Doruntina e Kostandini, ndryshojnë emrat duke kapërcyer kufinj gjuhësh, por udhëtimi i tyre i përtejmë, është gjithnjë udhëtim i besës e fjalës së dhënë, i vëllazërimit”.

 

Të pranishmit vlerësuan Panairin e Librit, i cili tashmë është kthyer në një institucion të rëndësishëm të shkëmbimit të autorëve, letërsisë dhe historive të përbashkëta. Në këtë rrugë Ulqini është një pikë përbashkimi mes shqiptarëve dhe malazezëve.  Na takon në këtë kohe të re të paqes të jemi nxitës të lidhjeve të paqes, e ku ka më mirë se Kultura, Arti?

 

Në këtë këndvështrim Ministrja Kumbaro kujtoi mbështetjen dhe mirëkuptimin e dy popujve tanë  “ Letërsia dhe jeta e shkrimtarëve është dëshmi dhe e mbështetjes dhe mirëkuptimit të dy popujve tanë, shqiptarëve dhe malazezëve, bashkëjetues prej shekujsh në këtë qytet, Ulqinin: e dëshmon këtë Bato Tomašević në librin e tij autobiografik të shumëpërkthyer “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, kur rrëfen se në fillim shekullin e kaluar të parët e tij gjetën mbrojtje te shqiptarët e Kosovës, ashtu si në mbyllje të shekullit të kaluar, shkrimtari tjetër malazez Jevrem Brkoviq rrëfen se gjeti strehë në kohë të vështirë tek shqiptarët e Shqipërisë”.

 

Në vazhdim të fjalës së saj, Ministrja Kumbaro theksoi se duke parë të kaluarën historike në një rrafsh të ri, duke tejkaluar arsyetimet që na kanë mbetur në fyt nga mitet dhe legjendat do jemi të hapur për ide të reja dhe pranimin e të ndryshmit nga ne.  “Gjuha, si kushti kryesor për mbijetesën e një kulture do të na çojë drejt kulturës integruese evropiane. Modelet tona kulturore po orientohen drejt kulturës evropiane, modeli i të cilit ka përparësi lirinë në zhvillimin e imazhit të shoqërisë, krahas ruajtjes së identitetit kulturor. Ideali i Europës që aspirojmë, shkon përtej kufinjve territorialë, është një “bashkë minoritetesh” që synojnë të krijojnë një vizion të përbashkët human mbi botën. Kush më mirë se kultura e libri mund ta projektojë këtë vizion?”.

Duke parë qartë të shkuarën ajo çka pritet tashmë prej nesh nuk është më euforia folklorike për të shkuarën, kthimi i kokës pas duke ngujuar veten në mite e legjenda, por vështrimi në një të ardhme të përbashkët, ku dallimi na bashkon dhe kthehet në vlerë. Në këtë vizion Ministrja Kumbaro përforcoi idenë se “Oganizimi i panaireve, festivaleve, leximeve, rezidencat e shkrimtarëve dhe përkthyesve, grandet për përkthyesit dhe shkrimtarët krijojnë klimën e duhur që edhe libri dhe profesionistët e krijuesit që i kanë kushtuar atij jetën, të jenë konkurues në këtë treg. Nëse libri nuk del nga miti i vetëizolimit dhe nuk futet në rrjetin e këmbimeve nuk do të mund të bëhet dhe pjesë e domosdoshme dhe parësore e jetës së gjithëkujt. Tashmë kultura duhet kuptuar jo vetëm si një vlerë shpirtërore, e shkëputur nga ekonomia, por si shpirti i vetë ekonomisë, që i jep kuptim dhe frymëmarrje gjithë ngrehinës së jetës material”.

 

I ftuar nderi i Panairit të Librit këtë vit, shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli.

Panairin e 15 të librit e organizon komuna e Ulqinit dhe Instituti i Librit dhe Promocionit Toena. Panairi do të qëndrojë i hapur  nga data 26 korrik-4 gusht 2015.{:}