Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4121]

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro  në datat 11 dhe 12 janar 2016 zhvilloi një vizitë dy-ditore në  Regione Puglia në takime të rëndësishme me personalitetet më të larta vendore me qëllimin për të ndërtuar ura institucionale komunikimi mes dy vendeve që  bashkohen  nga i njëjti det.

Në ditën e parë të qëndrimit, Ministrja Kumbaro zhvilloi takime me prefekten e Barit, znj. Carmela Pagano, kryetarin e bashkisë së Barit, z. Antonio Decaro dhe assesorin e kulturës, z. Silvio Maselli, ku në qendër të diskutimeve ishte krijimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi I informacionit mbi  modele administrimi të institucioneve të kulturës. Palët shprehën mbështetjen  dhe u angazhuan për të rivendosur marrëdhënie bashkëpunimi dhe binjakëzimi me qytetin e Durrësit, duke u angazhuar për të krijuar edhe një kalendar artistik, i cili do të shërbejë për njohjen e kulturës së dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

Gjatë vizitës në  Bari Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro u takua me Presidentin e Regione Puglia Michele Emiliano dhe Assessoren  për Zhvillimin Ekonomik dhe të Turizmit, Loredana Capone. Rrugët e dy popujve  afrohen sërisht me objektiv konsolidimin e eksperiencave dhe projekteve të bashkëpunimit dhe integrimit në fushën e kulturës (muzikë, teatër, film,  art kontemporan) dhe të turizmit.

Një diskutim i gjatë dhe i detajuar  në kërkim të rrugëtimeve të përbashkëta në art dhe kulturë . Presidenti Emiliano dhe Ministrja Kumbaro diskutuan për  bashkëpunime  ndërkufitare  që mund tgë bëhen  pjesë e strategjisë Adriatike-Joniane.

“Në  Ballkan ka mundësi të pafundme për bashkëpunim e ndërveprim – theksoi  presidenti Emiliano. Si Puglia ashtu edhe Shqipëria ndodhen buzë Adriatikut.  Jemi pra, së bashku, një pjesë e rëndësishme e evolucionit të historisë së këtij deti, në  gjendje të shpjegojë  e tregojë përmes historisë, monumenteve, kulturës  qytetërimin tonë. Bashkëpunimet dhe projektet e përbashkëta  rrisin edhe  prezencën tonë në BE”-përfundoi Presidenti Emiliano.

Në emër të qeverisë shqiptare, Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor, jo thjesht mes dy vendeve,  apo rajoneve, por si një  bashkëpunim në një hapësirë kulturore pa kufij. “Qeveria shqiptare ka intensifikuar  bashkëpunimet dhe  ka vendosur marrëdhënie të reja  me rajonin e Puglia-s. Këtu tashmë vijnë jo vetëm emigrant  shqiptarë, por edhe artistë, student, profesionistë të fushave të ndryshme, sipërmarrës shqiptarë, ashtu si edhe shumë italianë shkojnë për të jetuar dhe punuar në Shqipëri. Jemi këtu për të institucionalizuar këto marrëdhënie që tashmë ekzistojnë”- u shpreh Ministrja Kumbaro

 

Në përfundim të takimit u ra dakord për krijimin e itinerareve  kulturore dhe artistike midis Puglias dhe Shqipërisë,  edhe midis qyteteve,  apo siteve arkeologjike  në veçanti – – itinerare të perbashkëta që mundësohen falë detit  Adriatik. “Një det që që jo vetëm na bashkon, por edhe na ndan në momente të caktuara. Duke marrë shpresa pa emër dhe jetë pa moshë”- pranoi në fjalën e tij, Presidenti Emiliano.

Loredana Capone nënvizoi të dhënat ekonomike që lidhin dy vendet duke treguar se “Në 2014-ën – kemi rritur eksportin në drejtim të Shqipërisë me 34,6%, sepse kemi rregulluar më mirë raportet midis nesh , që më parë nuk ekzistonin.  Jemi absolutisht të gatshëm të ndërthurim eksperiencat tona”.

Në vazhdim të vizitës së saj në Regione Puglia, Ministrja e Kulturës u takua  me kryetarin e bashkisë së Lecce-s, Paolo Perrone, i shpallur vetëm dy ditë më parë si ‘kryetari  I bashkisë më të dashur për italianët’, fitues i Governance Poll 2015.

“Një tokë e pasur në aspektin e trashëgimisë artistike dhe natyrore” e cilësoi Shqipërinë  kryetari Perrone .  “Tokë e pasur në monumente të kulturës dhe site arkeologjike, me histori  si  Lecce dhe Salento.  Sfida jonë mbetet krijimi i projekteve të përbashkëta me itinerare të një harte kulturore dhe turistike të përbashkët”- u shpreh kryetari Perrone.

Afërsia gjeografike na mundëson  të krijojmë harta turistike të përbashkëta me destinacione pothuajse të panjohura dhe sot,  vende që mirëpresin  një numër të madh të turistëve, në sajë të një pozitë të lakmueshme .

“Bashkëpunimet me Puglia-n na afrojnë me Evropën dhe ne jemi të gatshëm të shkëmbejmë informacione dhe të identifikojmë praktikat më të mira në fushën e kulturës, turizmit kulturor, duke marrë modelet e tokës salentine”- u shpreh mes të tjerash Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në konferencën për shtyp .

Ministrja e Kulturës Kumbaro vizitoi Teatrin Petruzzelli në Bari dhe u takua me me Presidentin e Fondacionit Petruzzelli Gianrico Carofiglio, ku u diskutua konkretisht dhe u ra dakord për një  bashkëpunim mes Teatrit Petruzzelli dhe  TKOB gjatë vitit 2016.   Ministrja Kumbaro u takua me artistët  që janë duke punuar për realizimin e  operas “Dasma e Figaros” , e cila do të hapë sezonin  2016, me regji  nga Chiara Muti dhe dirigjent  Matthew Aucoin.

Në ditët e vizitës  në Regione Puglia, Ministrja Kumbaro zhvilloi takime të rëndësishme me drejtorin e Muzeut Historik të Lecce-s, Must, z. Nicola Elia, drejtoren e Muzeut “Pino Pascali” znj. Rosalba Brana, në kërkim të projekteve të përbashkëta në të ardhmen në kuadër të projektit IPA.
Ajo vizitoi gjithashtu kishën  arbëreshe  San Niccolo dei Greci,  quajtur ndryshe edhe kisha e Shën Kollit, ku u prit nga autoritetet e kishës dhe shqiptarë që jetojnë në qytetin e Lecce-s, shenjti mbrojtës i të cilit është San Nicola di Mira, (Shën Nikolla) një nga shenjtët e adhuruar nga komuniteti arbëresh në Itali.  Shërbesat  fetare  si dasma, pagëzime, etj  në këtë kishë  kryhen në gjuhën italiane, greke dhe shqiptare. Ministrja Kumbaro u njoh nga afër më qendrën e komunitetit arbëresh ku mësohet gjuha shqipe.
Në ditët e vizitës në Regione Puglia, Ministrja e Kulturës dha intervista për media të ndryshme si :a Gazzetta del Mezzogiorno, TV Telenorba,etj.
Në vizitën e saj në Regione Puglia, Ministrja e Kulturës,   znj. Mirela Kumbaro u shoqërua nga Konsulli i Përgjithshëm në Bari, z. Ermal Dredha.{:}