Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u takua me përfaqësues të qeverisjes vendore në Gjirokastër, si vendi organizator i Festivalit Folklorik Kombëtar, për të parë nga afër përgatitjet e këtij festivali. Në takim u diskutua për  detajet e fundit të organizimit dhe të gjitha hallkat e rëndësishme administrative, logjistike dhe artistike të kësaj ngjarjeje mbarëkombëtare të trashëgimisë jomateriale, që kërkojnë një bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

Festivali i Gjirokastrës është një nga ngjarjet më madhore të pasurisë shpirtërore, e cila realizon përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare do të mbahet në datat 10-16 maj 2015 në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro deklaroi se, qëllimi kryesor i organizimit të këtij festivali është trashëgimia e traditave të tij tek të rinjtë, për t’u ruajtur dhe për t’u përcjellë  si një vlerë e jashtëzakonshme.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një spektakël 5-ditor, por për një monument kulture të trashëgimisë jomateriale me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, madje do të thoja mbarëkombëtare. Ashtu sikurse një kala, një kështjellë, një muze, janë monumente të trashëgimisë materiale, Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monumenti i trashëgimisë jomateriale, që për shqiptarët, Shqipërinë dhe Ministrinë e Kulturës, pa dallime ngjyrash partiake, por për të gjitha qeveritë ka qenë dhe mbetet një institucion shumë i rëndësishëm”, tha ministrja Mirela Kumbaro, e cila pas takimit informoi në një dalje publike para medias për pjesëmarrjen e grupit “Argjiro” dhe Roland Çenkos në Festivalin e Gjirokastrës, së bashku me grupin e fëmijëve “Obelisku”.
“Gjirokastra, gjatë gjithë ditëve që do të mbahet ky festival, do të arrijë të tregojë vlerat e tij si qytet, sikundër karakterizohet, dhe njëkohësisht këto vlera do të ndërthuren edhe me folkun e të gjitha trevave. Sigurisht që jemi të gjithë të sigurt dhe të angazhuar, në mënyrë që kjo festë kaq e madhe të arrijë të japë sa më shumë dritë, ngjyra e gjallëri Gjirokastrës sonë”, tha Zamira Rami, Prefekte e Qarkut.

Ministrja Kumbaro inspektoi nga afër edhe punimet restauruese në Kalanë e Gjirokastrës, të cilat kanë filluar prej disa kohësh me mbështetjen e Bankës Raiffeisen. Inspektimi i dytë i rëndësishëm në Gjirokastër ishte në shtëpinë e Kadaresë, restaurimi i së cilës po kryhet nga UNESCO.{:}