Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në vazhdim të vizitës së frytshme dhe të suksesshme në Paris, ku synimi i takimeve ka qenë kontributi i kulturës shqiptare në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Mirela Kumbaro Furxhi takoi Ministren Franceze të Kulturës dhe Komunikimit Aurelie Filippetti. Ministrja Kumbaro vuri theksin në krijimin e një stinë të ndërthurrur kulturore Shqipëri-Francë 2016-2017. Ministrja Kumbaro shprehu dëshirën dhe vullnetin e mirë të institucionit që ajo drejton për të arritur në një vit të rëndësishëm kulturor, falë edhe një historie të përbashkët kulturore në mes të dy vendeve tona. Ministrja franceze nga ana e saj shprehu kënaqësinë dhe gatishmërinë që të dyja ministritë të përgatisin një protokoll bashkëpunimi në fushën e kulturës me përmbajtje konkrete dhe afate të mirëpërcaktuara. Në këtë protokoll mund të përfshihet bashkëpunimi institucional, duke filluar që nga vënia në dispozicion të ekspertëve të Ministrisë së Kulturës Franceze, që do të asistojnë për ndërtimin e planit strategjik të edukimit artistik në nivel institucional.
Modeli francez është i ngjashëm me sistemin shqiptar të Ministrisë Kulturës së Shqipërisë dhe kjo e bën më të afërt bashkëpunimin në fusha të rëndësishme të kulturës, trashëgimisë dhe edukimit nëpërmjet artit.

Ministrja Kumbaro u shpreh se  “Franca përfaqëson një ndër modelin për të na shoqëruar në këtë rrugë të kulturës, sidomos në fushën e edukimit përmes artit, një proces i cili sapo ka nisur dhe duhen krijuar strukturat e përshtatshme që të ngrihet në sistem, duke ndryshuar edhe mentalitete e mendësi të vjetra”.
Ministrja Filippetti u shpreh entuziaste dhe  e gatshme për ta mbështetur këtë nismë, vlerësoi të rëndësishëm vendosjen e këtij prioriteti nga ana  Ministrisë së Kulturës shqiptare, duke besuar se kjo strategji edukimi do t’i shërbejë të ardhmes.{:}