Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Mirela Kumbaro në datat 25-26 gusht 2014  do të marrë pjesë në takimin rajonal mes Ministrave dhe përfaqësuesve të Kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi në qytetin e Dubrovnikut.

Pas konferencës së Ohrit së këtij viti, ku u diskutua lista e monumenteve  të Trashëgimisë Botërore që do të pranohen në listën e UNESKO-s, në këtë takim do të diskutohet për bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e artit bashkëkohor, për përgatitjen e Konferencës Rajonale të Ministrave të Kulturës (Lubjana Procesi II – Rehabilitimi i trashëgimisë së përbashkët), e organizuar nga Ministria e Kulturës Kroate dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal të Evropës, e cila do të mbahet në tetor në Dubrovnik, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, veçanërisht në fushën e ekspertëve dhe mënyra të reja të menaxhimit të trashëgimisë.

Pritet një takim dypalësh i Ministres së Republikës së Kroacisë, Andrea Zlatar Violić dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kulturës dhe trashëgimisë mes dy vendeve.

Në takimin, i cili do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 gusht 2014, pritet të diskutohen tema të rëndësishme si: Edukimi përmes artit dhe kulturës, politikat kulturore dhe praktikat zbatuese në Kroaci. Temë e rëndësishme e bisedimeve do të jetë dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, një nismë për të eksploruar mundësitë për organizimin e seminareve dhe trajnimeve të rregullta drejtuar specialistëve shqiptarë për restaurimin; Bashkëpunime në fushën e trashëgimisë për ekspertizë në menaxhimin e siteve historike ; Bashkëpunime në fushën e menaxhimit të ngjarjeve artistike multikulturore, etj.  Një temë e rëndësishme e takimit do të jetë  bashkëpunimi dypalësh për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin shqiptaro -kroat për aplikimet në Programin e Evropës Krijuese.

Ministrja Kumbaro do të zhvillojë edhe takime të tjera të rëndësishme dhe të vlefshme për forcimin e bashkëpunimeve të ardhshme  në fushën e kulturës, si takimi me ministrin e Punëve Civile të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Sredoje Nović, ambasadorin e Malit të Zi në Serbi, Branislav Mićunović.

Pjesë e axhendës së Ministres Kumbaro do të jetë edhe takimi me kryetarin e bashkisë së Dubrovnikut, Andro Vlahušić.

Programi i vizitës së ministres Kumbaro parashikon pjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Orlando” dhe koncertit përmbyllës në Festivalin Veror të Dubrovnikut, një bashkëpunim i Orkestrës së Dubrovnikut me Orkestrën Filarmonike të Zagrebit, nën drejtimin e dirigjentit Ivo Lipanović, me pjesëmarrjen e baritonit Željko Lučić dhe sopranos Lana Kos.

Ministrja Kumbaro së bashku me homologen e saj Andrea Zlatar Violić  do të vizitojnë një sërë institucione të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kroate  si : qendrën e konservimit në Dubrovnik, qendrën historike në Cavtat, Galerinë Stradun, shtëpinë e piktorit të njohur kroat, Vlaho Bukovac, etj.

Ministrja Kumbaro përfundon vizitën e saj në Dubrovnik në datën 26 gusht.{:}