Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Elva Margariti, ministrja e Kulturës së Shqipërisë zhvilloi vizitën e parë në Kosovë bashkë me një delegacion nga kjo Ministri, ku u diskutua për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë 2019.

Ministrja Margariti, fillimisht theksoi se ky bashkëpunim është vazhdim i një pune të filluar më përpara. “Ky është vetëm një institucionalizim, një marrëveshje që krijon një kornizë formale por përtej kësaj gjithmonë kemi mbështetur të gjithë aktivitetet dhe artistët në të dy shtetet”, tha ajo.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur me realizimin e këtij takimi me ministren Margariti në siç tha ai kryeqytetin historik të kulturës dhe të trashëgimisë, në Prizren, ku edhe njoftoi për një projekt me fond të përbashkët.

“Jam entuziaste të marrim hapa të rinj që të çojmë përpara projekte të reja siç është ajo e një kalendari akoma edhe më të shtrirë, duke pasur dhe eksperiencën tashmë të kalendarëve të viteve të mëparshme të vazhdojmë të kemi të tjera edhe me shtetet fqinjë”, tha ndër të tjera ministrja Margariti duke e përmendur si shumë të rëndësishëm edhe krijimin e një fondi të përbashkët.

“Dëshirojmë të kemi një kalendar trepalësh në mënyrë që aktivitetet tona të shtrihen edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.”,- tha ministri Gashi duke shtuar si detaj të rëndësishëm se në krye të Ministrisë maqedonase është një shqiptar.

Ministrja po ashtu u shpreh e kënaqur që ajo u prit në qytetin e Prizrenit dhe që “ministri ka zgjedhur që të keni një përfaqësi në qytetin e Prizrenit, është një nga kartëvizitat e trashëgimisë dhe kulturës kosovare, është një gjest vërtetë për tu vlerësuar, dhe pse jo për t’u parë edhe nga Shqipëria si një motiv i mirë për tu shtrirë dhe ne drejt qyteteve tjera”, tha ajo.{:}