Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy nënshkruan sot në Ankara marrëveshjen që synon “Restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës”. Margariti tha se “është një fillim i mbarë dhe një ogur i mirë, që një nga punët e para të këtij viti të ri lidhet me restaurimin e shtëpisë së Zotit”.

Por Xhamia e Plumbit në Shkodër, sipas saj, “nuk është thjesht një objekt kulti, por është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, ndaj dhe Marrëveshja që nënshkruam sot në Ankara, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë merr një rëndësi të veçantë”, tha Margariti.

Xhamia e Plumbit është një nga monumentet më të rrezikuara në kohë përmbytjesh.

Ajo tha se “kjo është një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat. Kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim”.

Kjo xhami është një monument kulture i kategorisë së parë. Ajo njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, pasi u ndërtua nga ky i fundit në vitet 1773-1774.

Xhamia e Plumbit në Shkodër përveç arkitekturës të stilit osman, ka edhe vlera të tjera historike, pasi ajo shërbeu në fillimet e tranzicionit shqiptar si një ndër xhamitë e para, ku besimtarët myslimanë filluan ritet fetare të ndaluara për disa dekada nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh dhe përgatitjesh më 16 nëntor 1990, u krye falja nga besimtarët myslimanë.

 

 

 {:}