Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit (2024-2029), 6.25 milionë euro, qendër vizitorësh, muze, vende të reja pune, infrastrukturë prezantimi, konservimi trashëgimie dhe mjedisi!
Vemendja dhe përkushtimi i MEKI-t, këtë rradhë, u fokusua tek Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit, në zëmër të Mallakastrës. Parku arkeologjik dhe plani i tij i menaxhimit, miratuar tashmë zyrtarisht, mbështetet nga projekti: “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillim Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi me Fokus në Trashëgiminë Kulturore”.
Të shumta do të jenë aktivitetet e parashikuara në këtë plan menaxhimi në funksion të ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë arkeologjike por edhe të nxitjes së ekonomisë lokale në dobi të komunitetit dhe turizmit kulturor. Plani përfshin vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike si edhe investime në punime civile e rrugë aksesi. Ky plan veprimi i drejtuar nga MEKI dhe institucionet e specializuara të tij, do të mbështetet në partneritetin e financimet e BE-së dhe zbatimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS).
Vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA) si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një tjetër vendim vizionar i qeverisë shqiptare me prioritet ruajtjen, menaxhimit dhe integrimin të trashëgimisë kulturore. Pasuria jonë e përbashkët ka potencial të jashtëzakonshëm të kthehet në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit!
Parku Bylis as i pari, as i fundit. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore.