Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=2881]

 

 

Pas rehabilitimit të ndërtesës “Muzeu Gjethi”, Ministria e Kulturës zhvilloi paraditen e së martës në Bibliotekën Kombëtare një dëgjesë publike me përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve politike dhe të drejtave të njeriut, historianë e opinionistë.

Ministrja e Kulturës tha se gjatë zhvillimit të këtij projekti është hasur në zëra pro dhe kundra. Ajo u shpreh në fjalën e saj se “Shkrimi i historisë nuk është detyrë e politikës dhe as nuk mëtoj t’i shkoj asaj hullie. Por, është detyrë e politikës të ndërtojë mekanizma financiarë dhe profesionalë që dëshmitë e kohës të mos vdesin, që dëshmitarët të mund të shprehen, që dokumentet arkivore të mos zhduken e ca më keq të transformohen, apo të keqpërdoren siç, mos o zot, janë përdorur duke na i tundur para hundës herë si lecka kutërbuese e herë si pisqolla. Është detyrë e të gjithë shoqërisë shqiptare të kontribuojë në nxjerrjen në pah të të vërtetave, të tregimit të vuajtjeve dhe të martirëve, të viktimave dhe të mekanizmave që prodhuan viktima”.

Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me një grup ekspertësh  ka qenë në bashkëpunim me ekspertë të Ministrisë së Brendshme, për të mbledhur dokumentacion dhe objekte, për të përgatitur konceptin, përmbajtjen dhe projektin e muzealizimit.

Pjesëmarrës në dëgjesën publike grupi i punës, përbërë nga ekipi i ekspertëve dhe studjuesve  : Bashkim Shehu, Gëzim Qendro, Artan Puto, Fabian Kati dhe Eldon Gjika, por edhe arkitektët italianë Elisabetta Terragni dhe Daniele Leda prezantuan për median dhe të ftuarit pjesë të projektit

“Përgjimet që ka bërë sigurimi i shtetit e që drejtoheshin nga kjo shtëpi janë pikënisja e muzeut, kurse pikëmbërritja është kontrolli totalitar në diktaturë në forma nga më të ndryshmet”, u shpreh shkrimtari Bashkim Shehu.

Përfaqësues të shoqatës të përndjekurve politikë, ish-të burgosur politik, përfaqësues të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, shoqata e të drejtave të njeriut,  historianë, opinionistë, etj.

Përfaqësues të shoqatës të përndjekurve politikë dhe të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit si Bilal Kola, Çelo Hoxha, Simon Mirakaj, Tomorr Dosti, Ardian Kati përshëndetën nismën për realizimin e muzeut, duke kaluar në një bashkëbisedim me ekspertët dhe studiuesit sa I përket metodologjisë dhe konceptit muzeal të ngroitjes së këtij muzeu.

“Qasja për Shtëpinë e Gjetheve them që ose saktësisht nuk ka një përcaktim dhe nëse e ka nuk anon nga martirët apo nga viktimat”, tha Bilal Kola.

Kuratori Bashkim Shehu pasi foli për dokumentacionin dhe objektet për projektin e muzealizimit, pohoi se nuk gjen dokumente që rrëfejnë për torturat që bëheshin gjatë fazës së hetimeve nga Sigurimi i Shtetit.

“Gjërat më të tmerrshme që ka bërë komunizmi, ata nuk i dokumentonin drejtpërdrejt, megjithatë fjala torturë del në ndonjë dokument. Por pjesa më e madhe e dëshmive të torturave vijnë nga viktimat”, pohoi Shehu.

Çelo Hoxha u shpreh se “Ka ardhur momenti që shoqëria shqiptare të ketë qasjen e saj ndaj kësaj periudhe të errët të diktaturës”.

Tomorr Dosti u shpreh mes te tjerash se : “Muzeu duhet hapur të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe veten”.

Ekspertët dhe studiuesit dëshmuan se janë mbledhur dokumente, materiale nga arkivi i PPSH-së dhe Byrosë Politike, si edhe dëshmi të gjalla të viktimave, torturat e së cilëve nuk dokumentoheshin.

“Pavarësisht se pas prezantimit të parë publik kjo është e para dëgjesë publike – ku ne ftuam përfaqsues të shoqatave dhe institucioneve që merren drejt për së drejti me fatin dhe historinë e njerëzve që kanë qenë persekutuar nga regjimi, që kanë qenë viktima të diktaturës komuniste, që kanë pësuar në kockë e në familje se cfarë domethënë të ishe armik, i përgjuar, i përndjekur, i shenjuar nga mekanizmat e terrorit të diktaturës, – në fakt gjithë kjo kohë ka qenë për ne një kohë dëgjesash kur kemi mbajtur vesh çdo gjë që është thënë e sugjeruar, por edhe kritikuar e qesëndisur.

Besojmë se sot, fatmirësisht ka shumë forma komunikimi dhe të gjitha janë të mira dhe të dobishme”- shtoi Ministrja Kumbaro në fjalën e saj.

 

Ministria e Kulturës do të vazhdojë të japë kontributin e saj në ngritjen e institucioneve të kujtesës që eksplorojnë historinë e komunizmit shqiptar  nga viti 1945 deri në vitin 1989,  me synim  ngritjen e vetëdijes publike përmes materialeve të dokumentuara dhe ekspozitave  të ndryshme.  Këto institucione  do të jenë pjesë e promovimit të debatit dhe shkëmbime  idesh  mbi format e shtypjes në diktaturë, si dhe pasojat që vijnë nga persekutimi politik , me qëllim informimin e brezave të rinj me të kaluarën e vendit, por edhe ballafaqimin e atyre brezave që arritën ta përjetonin diktaturën komuniste me këtë të kaluar të vështirë.

Ministrja Kumbaro tha se “Një gjë është e sigurt ky Muze nuk e mbyll debatin por e hap”.{:}