Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Inspektuam hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve, një projekt që sjell në atdhe kujtesën, kulturën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur gjuhën dhe traditat për më shumë se pesë shekuj larg Shqipërisë.

Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor. Ai do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin me komunitetet arbëreshe në Itali.

I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara, duke e kthyer zonën në një ansambel mozaik të gjallë ku trashëgimia do të ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itenerareve.

Ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e eksperiencës turistike përtej sezonit të plazhit, si dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e ndërgjegjësuese, por edhe të angazhimit të komunitetit.

Një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.