Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ditën e enjte, 23 Maj, 2019 në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Lagjia Kala, Berat u prezantua Sistemi Digjital i Audioguidave.  Tanimë turistët kanë mundësinë të zbulojnë muzeun dhe kryeveprat e tij në katër gjuhë të ndryshme. Shërbimi është i disponueshëm në gjuhën shqipe, italisht, anglisht dhe gjermanisht. Guida mbulon historitë e 40 veprave me vlera të rralla, rrëfyer brenda një orë e gjysmë. Turistët kanë mundësi të eksplorojnë, të mësojnë dhe të vendosin një raport vetjak me veprat dhe muzeun. “Onufri” bëhet kështu i pari muze në Shqipëri që u ofron një shërbim në katër gjuhë, vizitorëve të vet, sipas standardeve europiane. E pranishme në ceremoninë e përurimit të këtij sistemi, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se kjo është një mundësi më shumë për të zbuluar pasuritë e vendit tonë, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron teknologjia. Implementimi i Sistemit Digjital të Audioguidave në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”- është ndërhyrje e IntoAlbania (Turizmi Inovativ në Shqipëri), një projekt i financuar nga USAID dhe Sweden, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”.{:}