Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Lezhë shfaqet premiera e dramës “Na, të birtë e shekullit të ri “nga Ridvan Dibra ( variant i përshtatur, sipas vizionit regjisorial)
Drama bashkëkohore “Na, të birtë e shekullit të ri” e autorit Ridvan Dibra, vihet për herë të parë, nga një trupë nga Shqipëria, pas vënies në skenë nga trupa e teatrit të Mitrovicës në vitin 2011. Fituese e çmimit të tretë në konkursin kombëtar “ Katerina Josipi “ Prishtinë 2011. Fituese e çmimit të dytë në një konkurs të dramës shqipe ne Paris, EURODRAM , përkthyer në frengjisht dhe shfaqur në “Teatre de lecture “ në Paris, dhjetor 2011.
Kjo pjesë trajton mirëfilli problemet e jetës sonë të përditshme dhe sëmundjet sociale të shoqërisë sonë në këtë periudhë të gjatë tranzicioni , si ambicia e theksuar për karrierë, egoizmi vetjak deri në delir, hipokrizia, tendenca e tjetërsimit të personalitetit, mungesa e identitetit, humbja e parimeve dhe vlerave bazë të familjes së shëndoshë. Flet dhe per një nga plagët më të dhimbshme te shoqërisë sonë, atë të mos krijimit të familjes, mungesës së kohës, pamundësisë së perkushtimit dhe kujdesit ndaj njerëzve më të dashur, duke vënë në plan të parë realizimet individuale dhe të mirat materiale.
Në dramë kemi tri personazhe, një çift, burrë dhe grua dhe babain e burrit . Babai , një veteran lufte, dikur njeri i vlerësuar , intelektual, tashmë në pension ka një sëmundje mjaft të rrallë, që i referohet një gjendje të fjetur, apatie totale të trurit, duke e bërë të pandërgjegjshëm dhe të pamundur për t’u kujdesur për veten. Kjo sëmundje e tij kthehet në ankthin dhe dramën e çiftit , pasi që të dy janë detyruar të izolohen nga jeta e tyre profesionale dhe private për t’iu përkushtuar të moshuarit. Burri është regjisor teatri, që aspiron të ketë një karrierë të ndritur dhe të kalojë kufinjtë e skenave shqiptare, gruaja është lektore universiteti , studiuese e Migjenit, në përgatitje për doktoraturë, gjithashtu shumë ambicioze dhe në kërkim të një karriere të suksesshme me çdo kusht . Sëmundja e babait demaskon deri në pikat më kritike të dy personazhet, duke vënë në skaner personalitetet e tyre, hipokrizinë ,marrëdhënien e krisur në çift dhe mungesën e një dashurie të pastër dhe të sinqertë. Të dy vihen në një udhëkryq zgjedhjeje mes karrierës, kujdesit ndaj babait dhe të ardhmes së familjes së tyre.
Personazhi i babait në origjinalin e veprës , nuk është aktiv, por jetësohet vetëm përmes disa kollitjeve dhe momentit final të zgjimit të tij , por në këtë vënie në skenë, është bërë ndërhyrje në tekst nga ana jonë në sherbim të vizionit regjisorial , ndaj dhe babai zgjohet i pandërgjegjshëm në tri momente të tjera gjatë pjesës, duke prezantuar simbolikisht etapa të ndryshme të jetës dhe historisë sonë. Finalja do mbetet surprizë për publikun. Mes karrierës, të mirave materiale dhe dashurisë për familjen , çfarë zgjedhin “ të bijtë e shekullit të ri “ ?
Interpretojnë: Ligoraq Riza, Cubi Metka, Gentjan Zenelaj
Regjia: Alma Hoti Memo
10 dhe 18 prill 2016 , ora 18:00 në Pallatin e Kulturës, Lezhë{:}