Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=2908]

Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranë po organizojnë  aktivitete në ditën e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila do të zhvillohet më 4 shtator në Vatikan.

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës ka një domethënie të shumëfishtë kombëtare, për të njohur traditën tonë të mirëfilltë të mikpritjes, bujarisë, zemërgjerësisë, altruizmit.  Mbetet një datë e shënuar sepse do të shërbejë për të zgjuar, ruajtur dhe kultivuar vlerat e identitetit shqiptar, për ta njohur, dashur dhe afruar Nënën Tereza në përditshmërinë tonë.

Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës kujtojmë se ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse: “Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin”.

Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës do të përcillet LIVE në sheshin “Nënë Tereza”, ku përmes monitorëve të vendosur përgjatë sheshit kryesor shqiptarët do të jenë bashkë  në emër të dashurisë, sepse vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar.

Kjo ditë do të fillojë me koncertin për kor, solistë dhe orkestër simfonike të TKOB në orën 09.30 në sheshin “Nënë Tereza”. Në një program sacra, me pjesëmarrjen e solistëve të mirënjohur të skenës lirike: Ylber Gjini, Etleva Golemi, Armando Likaj, Klodian Kaçani. Në program do të interpretohen pjesë nga Puccini – Kyrie nga “Messa di Gloria” ; Vivaldi – Gloria ; Mascagni – Intermezzo nga opera “Cavalleria Rusticana” (varianti orkestral); Verdi – La vergine degli angeli nga opera ” La forza del destino”; Gounod – Ave Maria; Haendel – Allelujah.

Bashkia e Durrësit,  C.S.I. (Qendra Sportive Italiane) dhe agjencia SocialCom do të realizojnë Muzeun Nënë Tereza – Muzeu i Dialogut, i cili do të vendoset në Sheshin Liria në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” .

Muzeu do të përurohet më 4 shtator 2016, ditën kur zyrtarisht do të shpallet Shenjtërimi i Nënë Terezës.

 

Një ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore do të mbahet në Vatikan-një koncert i 3 shtatorit,  ku Yjet Shqiptare në muzikë, art dhe sport, Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa , Ramë Lahaj, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana, Andi Bajgora dhe Lum Veseli do të performojnë në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Rita Ora, një yll i muzikës Pop e lindur në Kosovë do të shfaqet në koncertin ku do të zërë një vend edhe muzika tradicionale instrumentale e Shqipërisë. Koncerti do të prezantojë edhe premierën “Nëna e dhimbjes”, kompozuar nga Gerti Druga, me pjesëmarrjen e violinistit virtuoz, Shkëlzen Doli. Kompozitori David Tukiqi I cili ka kompozuar himbin kushtuar Nënë Terezës do të interpretohet në Vatikan nga Inva Mula. Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra e Filharmonisë dhe Kori i Kosovës, në bagetën e mjeshtrave Bujar Llapaj dhe Baki Jashari. Koncerti është organizuar nga producentja Dijana Toska.

 

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e lume nga Papa Shën Gjon Pali II.

4 shtator 2016, sheshi “Nënë Tereza”, Tiranë{:}