Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2015. Më 20 shkurt në Prishtinë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi dhe Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, duke rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Me nënshkrimin e sotëm, Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e dytë të bashkëpunimit me Kalendarin e Përbashkët Kulturor i cili vjen në bazë të Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e vlerësoi nënshkrimin e Protokollit si një institucion që i bën të ndjehen krenarë, edhe institucionet e Kosovës, ashtu edhe ato të Shqipërisë. “Nuk e bëjnë Kalendarin ministritë dhe e as ministrat, por e bëjnë njerëzit e kulturës, e bën skena e artistëve, sepse skena është e tyre dhe jo e zyrtarëve”, tha ministrja Kumbaro-Furxhi, duke shtuar se tashmë aktivitetet e përbashkëta veçse kanë filluar me pjesëmarrjen në Berlinale me një stendë të përbashkët, pastaj aktivitetet tjera kulturore në Kosovë e Shqipëri kanë nisur që prej fillimvitit. “Ky është vetëm fillimi i një viti i cili premton shumë, ku dy ministritë tona do ta mbështesin”-u shpreh ajo.
Ministri Kujtim Shala e cilësoi nënshkrimin e Protokollit një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare por edhe jashtë saj, duke e konsideruar si një hapjeje të një rruge për shtimin e veprimtarive tjera kulturore.
“Veprimtaritë e përbashkëta kulturore, sipas Kalendarit të përcaktuar, në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore, mundësojnë prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare dhe konsiderohen një shtim cilësor i aktiviteteve kulturore, të cilat vlerësohen, ruhen dhe njëkohësisht janë nderim i veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi”, tha ministri Shala.
Kumbaro shtoi se “Kalendari 2015 veçse ka filluar, Besa Llugiqi e Prishtinës shkëlqeu në skenën e Tiranës një javë më parë krahë artistëve me standard botërorë siç është Ermeonela Jaho, Gëzim Myshketa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Para pak ditësh veprat e Muslim Mulliqit ndërruan thjeshtë strehë nga Tirana në Prishtinë duke mbetur edhe të Tiranës, edhe të Prishtinës. Dje trupa e qendrës kombëtare të fëmijëve dha shfaqje në Prizren dhe nuk pritën asnjëri nga këta artistë nënshkrimin. Mos të harrojmë që në Berlinale, Shqipëria dhe Kosova mirëpritën mysafirët në stendën e përbashkët, edhe për një film të përbashkët po të artistëve e jo të institucioneve. Dhe ky vit premton shumë sepse do të kemi festivalin mbarëkombëtar të përbashkët në Gjirokastër ku të dy ministritë do ta mbështesin”, tha ajo.
Në takim merrnin pjesë edhe drejtuesit e institucioneve kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe drejtues të MK dhe MKRS, të cilët diskutuan konkretisht me kolegët homologë për kalendarin kulturor 2015.

Kalendari i Përbashkët Kulturor do të përfshijë aktivitetet:
• Festivalin Folklorik të Gjirokastrës – angazhim i përbashkët i dy ministrive për mbështetjen e këtij festivali.
• Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike do të përfshijë në aktivitetet e saj grupet nga Kosova.
• Konferenca vjetore e Bibliotekonomisë
• Trajnime në fushën e Bibliotekarisë dhe krijimin e hapësirës për promovime të rregullta të botimeve
• Një premierë e Teatrit Kombëtar Shqiptar dhe një premierë e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahiogli” të cilat do të shfaqen në Kosovë gjatë vitit 2015
• Pjesëmarrja e përbashkët në Berlinale, në Fesitvalin e Filmit në Kanë (maj 2015)
• Bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës, koncert Barok (prill 2015), koncert Kori A Cappella (shtator – dhjetor 2015), Baleti La Stravaganza (qershor 2015), Opera Le Villi, koncerte të ansambleve përkatëse në dy vendet
• Në kuadër të trashëgimisë do të organizohen trajnime në fushën e trashëgimisë dhe restaurimeve, konferencë vjetore për trashëgiminë (Prishtinë/Tiranë), bashkëpunim mes Muzeve, konkurs ndërkombëtar Ëiki Loves Monuments
• Ekspozitë e Realizmit Socialist (dhjetor 2015)
• Mbështetje e Dokufestit{:}