Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kur ishte e vogël, ajo ishte “shpirti i vogël i babës”, sot është “shpirti i baletit” dhe gjithë jetën i mbeti emri: Zysh Piti. Nuk ka balerinë shqiptarë, që nuk e njohin atë, sa e dashur aq edhe e rreptë, mësuesja e sa e sa breza artistësh me karrierë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Nermin Ahmeti apo Zysh Piti hyri në rrugën e baletit, shumë vite të shkuara, kur për shumë shqiptarë ishte një tabu.

“Nëna ime ka qenë e emancipuar për kohën dhe gjithnjë thoshte që vajzat do t’i bëj artiste ose sportiste, dhe në të vërtetë ashtu u bëmë. Nga 6 motra, dy u bëmë artiste e dy sportiste”, tregon ajo për ” Sekrete mjeshtërie”.

“Në vitin 1957, kur erdhi nga Rusia një brez i tërë të shkolluarish atje, si Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Zoica, Ganimeti, etj., u hap për të parën herë Shkolla e Baletit. Ne ishim një grup shoqesh 10-vjeçare, që u paraqitëm atje dhe ato që përmbushnin kriteret, u pranuan. Shkolla zgjaste 6 vjet, por mua më morën në punë një vit përpara se të mbaroja shkollën. Punova disa vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku realizova edhe role solistike. Më pas, në vitin 1969 fillova punë si mësuese teknike në Shkollën e Baletit. Jam e para mësuese efektive, pasi kishte shumë të tjerë që punonin me kohë të pjesshme, ndërsa punonin në TOB”, tregon ajo, ndërsa shumë njerëz e përshëndesin.

Pikërisht në Shkollën e Baletit doli në pension, por pa u shkëputur asnjëherë nga profesioni i saj. Mjafton t’i shohësh harkun e vetullës për të kuptuar se sa e rreptë ka qenë, por ish-nxënësit i janë falenderues për disiplinën e punës, që ajo u mësoi. Dion Gjinika, Ezdalin Gorani e shumë të tjerë, kanë qenë nxënësit e saj.

“Punohej me shumë pasion si nga mësuesit, ashtu edhe nga nxënësit. Kemi nxjerrë artistë të talentuar, që kanë bërë karrierë dhe jashtë vendit. Të gjithë janë punësuar në profesionin e tyre. Madje edhe të gjitha mësueset e sotshme të Shkollës së Baletit janë ish-nxënëset e mia”, thotë ajo, ndërsa në zë i ndihet një dozë krenarie e malli.

Por kohët kanë ndryshuar dhe ajo e ka një vërejtje. “Atëherë pranoheshin vetëm 20 nxënës, 10 vajza e 10 djem, sepse edhe salla e baletit aq kapacitet kishte, dhe puna e mësuesit ishte më cilësore. Ishte e pamundur të kishe 11, na kërkonin llogari. Pranoheshin vetëm më të talentuarit, ndërsa sot pranohen dyfish. Ç’mund të bëjë mësuesi?”.

Pë këdo që mendon se baleti është ” punë qefi”, ajo thotë: “Të gjitha profesionet janë të vështira, çdo zhanër artistik është i vështirë, por baleti është edhe më shumë, kërkon shumë punë individuale. Përpara çdo shfaqjeje kërkohet një orë ngrohje muskujsh, sepse mund të ndodhin aksidente. Aq sa i bukur është, aq edhe i lodhshëm. Pedagogu ynë Agron Aliaj na thoshte gjithnjë: Nëse e lini një ditë baletin, do të shkoni 3 ditë mbrapa. Duhet punë e përditshme dhe këtë ua këshilloj nxënësve të mi. Por gjithçka varet nga pasioni dhe dëshira, thotë mësuesja e baletit.

Për Zysh Pitin, e vërteta vjen mbi gjithçka. Për asnjë moment nuk ka dashur të zhgënjejë pritshmëritë e nxënësve dhe prindërve. E ardhmja e fëmujëve nuk është biznes.

“U them gjithnjë: Nëse nuk keni dëshirë, mos humbisni kohë kotë, zgjidhni një profesion tjetër. Kujtoj një episod të tillë. Dikur i thashë një vajze, që nuk kishte të ardhme në balet: Lëre, shko e bëhu doktoreshë, kur të plaket zysha, më shëron. Shumë vite më vonë, kur shkova në Pediatri për tim nip, vjen një vajzë e më hidhet në qafë. Nuk e njoha. Më tha: Zysha, jam ajo vajza që më the të bëhesha doktoreshë. Faleminderit, kishe të drejtë”.

Ka punuar kaq shumë vite, ka marrë edhe vlerësime e dekorata qysh para viteve ’90 dhe Shkolla e Baletit nuk mund të kuptohet pa imazhin dhe emrin e saj, por edhe sot ajo vazhdon të punojë. Nxënës të Shkollës së Baletit shkojnë tek ajo pë t’u perfeksionuar, ndërsa fëmijë të vegjël të marrin mësimet e para.

U mëson tango, samba, rumba, çaça… Ka edhe nga ata që duan të mësojnë të kërcejë vallet popullore. Këto të fundit duan t’i mësojnë ata, që kanë dasma përpara…

Zysh Piti u gjendet të gjithëve… Merr biçikletën me kosh ngjyrë violë dhe niset drejt palestrës, ku ca flutura të vogla e presin të marrin mësimet e para..

vajza është mësuese baleti

{:}