Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Shtyhet afati i dorëzimeve të materialeve për konkurim në “Netët e leximit të dramës shqipe 3” deri më datën 15 janar 2017, për t’u dhënë më shumë kohë dramaturgëve shqiptarë  të paraqesin materialet e tyre. Janë të lutur të gjithë dramaturgët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë të paraqesin veprat e tyre brenda kësaj periudhe kohore.

Në këtë edicion janë të papranueshme të gjitha veprat dramatike të cilat janë paraqitur në dy edicionet e mëparshme, me përjashtim të rasteve kur vepra në fjalë paraqitet dhe mbrohet nga një konceptim i mirëfilltë regjisorial.

Secili autor ka të drejtën e prezantimit me vetëm një vepër dramatike. Dy shtyllat kryesore për seleksionimin përfundimtar janë: Vepra e shkruar dhe garancia regjisoriale.

Të drejtën për të hyrë në fazën e parë të seleksionimit e kanë edhe ato vepra të traditës apo bashkëkohore shqiptare, të cilat vijnë si propozim i regjisorëve që nëpërmjet trajtimit të tyre regjisorial mendojnë se arrijnë parametrat e duhur për skenën dhe publikun e Teatrit Kombëtar. Në rastin kur vepra dhe arsyetimi regjisorial kalojnë fazën e parë të seleksionimit, regjisori vetë, me ndihmën e stafit dhe trupës së Teatrit Kombëtar realizon leximin në publik të veprës. Në këtë rast përveç 2 kopjeve të printuara të veprës që dorëzohen në sekretari, dhe kopjes elektronike në adresën info@teatrikombetar.gov.al , duhet dhe një CV e autorit dhe një CV e regjisorit si dhe një material i përmbledhur mbi arsyetimin regjisorial të veprës së paraqitur. Edicioni 3 i “Netët e leximit të dramës shqipe” në fazën përfundimtare, atë të leximit, do të shtrihet në një hark kohor 6-mujor, janar-qershor 2017. Teatri Kombëtar do të marrë përsipër paraqitjen e 1 ose 2 veprave të lexuara gjatë këtyre muajve. Kjo për arsye të përfshirjes së aktivitetit brenda periudhës së sezonit artistik dhe për të krijuar një hapësirë kohore të nevojshme nga leximi në lexim.

Paraqitja e propozimeve regjisor dhe autor është një kusht i Teatrit Kombëtar.

Ju mirëpresim!

Shënim: Slogani i Teatrit Kombëtar për sezonin 2017-2018, nëse cilësia e veprave të paraqitura do të përmbushë kërkesat artistike që kërkon skena më e madhe teatrore shqiptare do të jetë: “Sezoni i dramës shqiptare në TK”

Afati i fundit i aplikimit: 15 janar 2017{:}