Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nis konkursi me dy faza për qendrën e re të vizitorëve në sitin e Trashëgimisë Kulturore Botërore, të mirënjohur si atraksioni kryesor kulturor shqiptar falë monumenteve të tij të lashta dhe natyrës madhështore

 

Pamje © Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

 

  • Konkursi mirëpret ekipe të reja e me eksperiencë
  • Projekti përfshin një qendër vizitorësh ndër më të mirat në botë (me infrastrukturë ndihmëse në hyrje dhe veçori të tjera, si udhërrëfyesi) që do t’i mirëpresë dhe orientojë vizitorët, si drejt Sitit të Trashëgimisë Botërore, ashtu dhe drejt Parkut Kombëtar me shtrirje të
  • Në juri bën pjesë dhe Elva Margariti, Ministre e Kulturës e Shqipërisë, së bashku me autoritete të tjera të shquar ndërkombëtarisht në fushën e arkitekturës, trashëgimisë dhe organizatave për klientët.
  • Në fazën e parë nuk nevojiten projekte – skuadrave shumëdisiplinare të kryesuar nga arkitektët u kërkohet të japin detaje lidhur me përbërjen e skuadrave, eksperiencën, pyetësorin para-kualifikues dhe qasjet.
  • Në fazën e dytë, katër skuadrat finaliste do të përfitojnë një honorar prej 10,000 USD për dizenjimin konceptual
  • Afati i fundit për përgjigjet e fazës së parë është dita e hënë, 24 tetor, 2022.

 

 

Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (FMB) dhe organizatorët e konkursit të projektimit, Malcolm Reading Consultants (MRC), sot

[21 shtator 2022] nisin kërkimin global për një skuadër arkitektësh të dedikuar e të talentuar për të dizenjuar një qendër të re vizitorësh për Parkun Kombëtar të Butrintit, një sit i rrallë i Trashëgimisë Botërorë të UNESCO-s në bregdetin jonian të Shqipërisë.

I ndodhur në jug të vendit, gati 20 kilometra nga qyteti modern i Sarandës dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë.

Butrinti të ofron një ndjesi të jashtëzakonshme hapësire, rezonance kulturore dhe bukurie pamore, që krijohet nga kombinimi i rrallë i monumenteve me mjedisin natyror të paprekur dhe mbresëlënës. Parku Kombëtar me shtrirje të gjerë është i pasur me kodra, liqene, këneta, moçale uji të kripur, ultësira, kallamishte dhe ishuj bregdetarë.

I njohur në mijëvjeçarë si një vend frymëzues, Butrinti lavdërohet tek Eneida e Virgjilit dhe te Letrat e Ciceronit për Atikun. Ndër objektet më të spikatura të sitit janë një teatër i lashtë epirot, një forum romak dhe një pagëzimore e hershme bizantine me një dysheme mozaiku të ruajtur mirë, si dhe monumente të tjera nga periudhat Helenike, Romane, Bizantine, Anzhuine, Venedikase, dhe Otomane. Zona është trefish e dalluar si Sit i Trashëgimisë Botërore, Park Kombëtar dhe Sit Ramsar*.

 

 

Qendra e re e vizitorëve, që pritet të ketë neutralitet karboni, parashikohet të ndihmojë në mënyrë thelbësore për menaxhimin e numrave në rritje të vizitorëve, që mendohen të arrijnë 400,000 deri në 2030-n.

Qendra e re, mbi 1000 metra katrore, duhet të presë, mirëseardhë dhe orientojë vizitorët, të japë shpjegime për sitin, të përcjellë vlerat e jashtëzakonshme universale të një siti të Trashëgimisë Botërore dhe të jetë porta e Parkut të madh Kombëtar si dhe qendra rajonale për vizitorët për atraksionet e tjera kulturore dhe natyrore në afërsi.

Qendra do të jetë rreth 1.5 kilometra nga hyrja për në qytetin antik, në një vendndodhje të mahnitshme me pamje panoramike nga Kanali i Vivarit.

Financimi fillestar i projektit, prej 2.45 milionë USD, është siguruar tashmë dhe projekti ka një kalendar të përshpejtuar: ndërtesa e përfunduar pritet të jetë gati për përdorim në shtator të 2025-s.

Hollësitë e plota se si mund të merrni pjesë në konkurs ndodhen në faqen e internetit të dedikuar për konkursin në competitions.malcolmreading.com/butrint.

Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe Kryetare e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, u shpreh:

‘Synojmë që qendra jonë e re e vizitorëve të jetë një shembull arkitekturor dhe një deklaratë e pashoqe për vlerat e sitit dhe Shqipërisë, për të promovuar gjerësisht vlerësimin e thesareve të shumta kulturore dhe arkeologjike të vendit tonë.

‘Balancimi i sigurimit të aksesit për publikun me ruajtjen e burimeve arkeologjike dhe natyrale është një vështirësi serioze për të gjitha sitet e Trashëgimisë Botërore. Pas pandemisë, ndërsa vizitorët shtohen, menaxhimi i tyre është thelbësor për qëndrueshmërinë e Butrintit si një destinacion turistik ndërkombëtar.

‘Qendra duhet të përcjellë Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të këtij siti të Trashëgimisë Botërore e të shërbejë si një forum edukues dhe vend-mbledhje për komunitetin, dhe si një qendër rajonale për turistët që të promovojë atraksionet e tjera kulturore dhe natyrore në afërsi.

‘Finalistëve që do të arrijnë fazën e dytë të dizenjimit konceptual të konkursit, do t’u kërkojmë një arkitekturë karizmatike por edhe praktike që lidhet më së miri me mjedisin e jashtëzakonshëm kulturor dhe natyror.’

 

Drejtori i Konkursit, Malcolm Reading, u shpreh:

 ‘Ky vend historik paraqet një histori të ndritur të Mesdheut: dihet se ka qenë i pushtuar, me përafërsi, që nga viti 50.000 para erës sonë, deri në shekullin e 19-të pas erës sonë.

 Ne do të jemi në kërkim të arkitektëve të talentuar dhe specialistëve të tjerë të projektimit, të cilët do të identifikohen me vlerat e projektit dhe do të bëjnë kujdes të jashtëzakonshëm për të balancuar ndërhyrjen e tyre me respekt ndaj këtij vendi të çmuar, duke pranuar se do të duhet të kënaqin komunitetin ndërkombëtar të trashëgimisë.

 Do të jetë gjithashtu e nevojshme një qasje proaktive dhe e paramenduar ndaj qëndrueshmërisë, për të trajtuar sfidat e shumta të emergjencës klimatike, me rritjen e nivelit të detit që përbën një kërcënim të veçantë për gadishullin e poshtëm të Butrintit.’

Në korrik të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një Plan Menaxhimi të Integruar për të mbrojtur zonën dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me bazë komuniteti dhe të ndjeshëm ndaj mjedisit. Plani çoi në krijimin e një organi të ri autonom për mbikëqyrjen e zonës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i drejtuar nga Ministria e Kulturës.

Parku Kombëtar i Butrintit zë një sipërfaqe totale prej 8622 hektarësh dhe mbulon një sipërfaqe me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Mbi 1200 lloje të ndryshme të kafshëve dhe bimëve janë regjistruar, dhe metodat tradicionale të bujqësisë mbizotërojnë ende, duke e rikthyer vëzhguesin në një mënyrë jetese të harruar prej kohësh në pjesën më të madhe të Evropës.

 

Formati i konkursit

Gjuha zyrtare e konkursit është anglishtja. Nuk kërkohet asnjë projektim gjatë fazës së parë; projektuesit do të duhet thjesht të studiojnë Deklaratën e Kërkimit (e disponueshme për t’u shkarkuar nga faqja e internetit e konkursit) dhe të dorëzojnë përbërjen e ekipit të tyre, qasjen ndaj projektit, përvojën përkatëse dhe pyetësorin e parakualifikimit përmes një formulari digjital në faqen e internetit.

Konkursi kërkon ekipe të integruara multidisiplinare të projektimit që përfshijnë minimalisht: arkitektin (dhe projektuesin kryesor), arkitektin e peizazhit, masterplanifikuesin, projektuesin e ekspozitës dhe interpretimit, arkeologun, disiplinat inxhinierike, duke përfshirë qëndrueshmërinë, konsulentin e kostos dhe një konsulent të orientimit.

Në fazën e dytë do të përzgjidhen katër ekipe, të cilat do të marrin një shpërblim prej 10.000 dollarësh për punën e tyre projektuese kur konkursi të përfundojë me përzgjedhjen e fituesit.

 

Juria e konkursit përfshin: Elva Margariti, Ministre e Kulturës, Shqipëri; Martin Mata, Bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Aleksandër Sarapuli, Bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, Bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo, Themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, Drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou; dhe Emily Freeman-Attwood, Kryetare e Fondacionit Butrint.

Anëtarë të tjerë të jurisë pritet të shpallen gjatë konkursit; të cilët do të reklamohen në faqen e internetit të konkursit. Juria do të këshillohet nga Drejtori i Konkursit, Malcolm Reading.

Pasi të jetë përzgjedhur projekti, ekipi fitues, nëse nuk autorizohet në Shqipëri, do të duhet të punojë me një ekip shqiptar për të ndihmuar në realizimin e projektit.

Afati i fundit për përgjigjet e fazës së parë është: 14:00 GMT +1 e hënë, 24 tetor 2022.

Faza e dytë e konkursit do të fillojë në vjeshtën e vitit 2022; shpallja e fituesit pritet në pranverën e vitit 2023.

 

PYETJE PËR MEDIAN RRETH KONKURSIT

Malcolm Reading Consultants Catherine Reading catherine.reading@malcolmreading.com

+44 (0) 207 831 2998

PAMJET

Pamjet mund të shkarkohen këtu:

dropbox.com/sh/nvcldjotvgm2hpq/AAB5Pj1awZx5it6efqyrr1voa?dl=0

 

 

SHËNIME PËR BOTUESIT

 

* Zona Ramsar – ligatina me rëndësi ndërkombëtare të përcaktuara sipas Konventës Ramsar.

 

 

Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës e Shqipërisë është përgjegjëse për zbatimin e politikave të qeverisë për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Një rrjet prej 28 institucionesh kombëtare dhe rajonale në varësi të Ministrisë zbaton dhe mbështet projekte, programe dhe aktivitete në lidhje me ruajtjen, restaurimin, menaxhimin, përmirësimin dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

kultura.gov.al

 

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (FMB) u krijua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), me qëllim administrimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e zonave të trashëgimisë kulturore të Butrintit. Misioni i saj është të sigurojë akses dhe shërbime publike, si dhe të promovojë aktivitete studimore dhe kërkimore.

 

Ky mision do të realizohet duke menaxhuar dhe zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme Pasurinë Kulturore, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe staf të specializuar për ruajtjen dhe zhvillimin e tij për gjithë kohëzgjatjen gjatë administrimit indirekt të FMB-së.

 

Bordi i Fondacionit përbëhet nga pesë anëtarë dhe kryesohet nga Ministria e Kulturës.

 

 

Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030)

Më 22 korrik 2020, Qeveria Shqiptare miratoi Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030). Plani u hartua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (si bashkëpropozues) dhe ministritë e tjera të linjës, krahas institucioneve partnere si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM ose AdZM), Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Arkeologjisë,

Universiteti i Tiranës, AdZM Vlorë, Porti i Sarandës, agjencitë dhe guidat turistike, institucionet e vetëqeverisjes vendore dhe përfaqësues të komunitetit lokal.

 

Nëpërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar, Parku Kombëtar i Butrintit do të njihet si një lider global në menaxhimin e qëndrueshëm të vendeve të përziera kulturore dhe natyrore, duke u bërë qendra e një oferte turistike rajonale, duke ofruar një eksperiencë unike për vizitorët dhe duke përfshirë komunitetet lokale dhe institucionet kombëtare, që të shërbejnë si model për parqet e tjera kombëtare dhe objektet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

 

Si i pari i këtij lloji, Plani mbështet strategjitë e qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, dhe është në përputhje me Axhendën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO.

 

Në terma afatgjatë, ky dokument synon të përcaktojë një qasje të re ndaj vendeve të trashëgimisë në vend, duke trajtuar çështje që lidhen me vendimmarrjen midis organeve të qeverisjes vendore dhe kombëtare, zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e turizmit kulturor, zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale dhe një qasje me në qendër komunitetin lokal.

 

Malcolm Reading Consultants

Malcolm Reading Consultants (MRC) është një agjenci konsulence strategjike që i ndihmon klientët të imagjinojnë dhe të përcaktojnë mjedise bashkëkohore, të ndërtuara dhe natyrore. MRC është specialisti kryesor në hartimin dhe menaxhimin e konkurseve ndërkombëtare të projektimit. MRC beson në fuqinë e projektimit për të krijuar perceptime të reja dhe për të shërbyer si frymëzim.

 

MRC ka zhvilluar mbi 150 konkurse projektimi në mjedise, që përfshijnë Antarktidën dhe Australinë; Londrën dhe Uashington D.C-në.; Oksfordin dhe Kembrixhin, dhe Hjustonin dhe Riadin, për projekte të jashtëzakonshme dhe emblematike, që përfaqësojnë mbi 12 miliardë dollarë vlerë ndërtimi. Në mënyrë unike, ekipi ynë ofron një shërbim të tërësishëm, që përfshin: vizionin e projektit; hulumtimin; organizimin; administratën; dhe vlerësimin.

 

Punimet e fundit përfshijnë një përzgjedhje konkurruese për Galerinë Kombëtare (Londër); Illuminated River Foundation (Londër), Science Island (Lituani), Houston Endowment (SHBA), New College (Oksford), Kolegjin St Catharine (Kembrixh) dhe Kolegjin Mbretëror të Artit (Londër).

malcolmreading.com

 

Ky konkurs financohet bujarisht nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Për më shumë informacion mbi projektet e AADF, ju lutemi vizitoni: aadf.org.

{:}