Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Bienalja “Netët e muzikës klasike” këtë vit mbërrin në edicionin e tetë. Një prej veprimtarive më të vlerësuara gjatë sezonit të verës edhe këtë edicion Bienalja që nis më 1 gusht ngjit në skenë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

 

Nuk do të mungojnë dhe vepra premierë, por dhe zërat e artistëve më të njohur lirikë të skenës. Edhe këtë edicion Bienalja vjen me drejtues artistik violinistin e  njohur Florian Vlashi dhe drejtues të përgjithshëm kompozitorin Haig Zacharian.

Sipas drejtorit artistik Florian Vlashi këtë vit ka një temë qendrore në Bienale, që është artistë dhe pushteti. “Pjesa kryesore më me peshë e festivalit është Kuarteti për fundin e kohërave, që është shkruar në shekullin e 20. Ishte muzika e “Kuartetit  të fundit të kohërave”, që luhej në kampin nazist Stalag VIII atë ditë të akullt janari të vitit 1941. Pra ideja e Bienales është arti si shpresë.

I gjithë festivali është i ndërtuar në këtë aspekt. Për këtë arsye dhe një nga netët që ne ia dedikojmë muzikës shqiptare janë pikërisht ata autorë që kanë qenë të persekutuar dhe ne e kemi quajtur “Në kërkim të muzikës së humbur”, pasi shumë vepra janë lënë mënjanë. Një prej tyre është dhe vepra e Palok Kurtit, apo Lec Kurti që krijoi një sonatë për piano.

Kjo do jetë premierë në Bienale”, tregon mes të tjerave drejtori Vlashi për Bienalen, që nis më datë 1 deri më  8 gusht në Durrës. Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” lindi në vitin 2003 në Durrës në një formë krejt të natyrshme, në momentin dhe vendin e duhur. “Festivali është i ndërtuar mbi një strukturë të mirëfilltë.

Janë shtatë net të dedikuara një tematike dhe një periudhe muzikore: Nata e Muzikës Baroke, që nis me vepra që nga viti 1500, Klasike, Romantike, Moderne, Shqiptare, Konkursi Yjet e Rinj dhe Carte Blanche”, pohon drejtori Florian Vlashi. Çdo koncert shfaqet në ambiente të ndryshme të qytetit si Katedralja Shën Luçia, Muzeu Arkeologjik, Jozef Galery, Teatri Aleksandër Moisiu, shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli” e deri tek një fabrikë e braktisur në rrethinat e qytetit, transmeton sot news.

“Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, disa prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri si “Arti i Fugës” i Bahut apo “Historia e ushtarit” e Straviskit. Për çdo edicion porosisim një vepër premierë, ndërsa fituesi i konkursit të të rinjve ftohet nga Grupo Instrumental Siglo XX për koncerte në Spanjë”, shton më tej drejtori Florian Vlashi.

Programi muzikor

Bienalja nis me koncertin “Netët e Muzikës Baroke”. Për publikun do të jetë Orkestra Rinore  e Durrësit dhe solistët Florian Vlashi, drejtues dhe solist Irina Nanushi në violinë. Në Bienale do të jepet Çmimi “Solisti i Ri i Netëve të Muzikës Klasike” i shoqëruar me diplomën përkatës si dhe e drejta për të dhënë koncerte në Spanje, si solist, (solo, i shoqëruar në piano apo me Orkestër dhome) i ftuar nga violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij, violonçelistja Rediana Lukaçi, të cilët janë njëherësh dhe financuesit e këtij çmimi.

Më 2 gusht 2017 Feim Ibrahime bën 20 vjet që nuk është mes nesh .Për këtë përvjetor, Bienalja e Durrësit do të prezantojë veprën e tij të muzikës së dhomës si pjesë përbërëse e detyruar e repertorit të konkurruesve pjesëmarrës. Nuk mungon në festival dhe krijimtaria e Palok Kurtit me : N´at zaman t´njasaj furie, Kajrafil të zgjodha.

Tonin Harapi vjen me Djaloshare. Lec Kurti me Romanca për violinë e piano (1914), sonata për violinë e piano (1915) vijnë si premierë. Palokë Kurti, është i pari muzikant shqiptar i cili, duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke hedhur kështu, bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Këngët romancat e tij do të arrinin majat më të larta të krijimtarisë popullore shqiptare. Do të prezantohet dhe Gëzim Çela bashkë me kitarën e tij të dhuruar nga Vaçe Zela. Ky instrument e shoqëroi “Gëzimin” në 22 vitet e dënimit në Tiranë e Spaç. Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës.

1-8 gusht 2017, Durrës{:}