Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6260]

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH) dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” (BKK), më 4-5 dhjetor  organizojnë “Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë”, edicionin e nëntë, me temë “Aftësimi në informacion përmes teknologjive të reja dhe komunikimit”. Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të  protokollit  të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, qëllimi i të cilit është themelimi i kalendarit të përbashkët kulturor vjetor, si dhe bashkërendimi i aktiviteteve kulturore mes dy vendeve tona.

Dita e parë e kësaj konference ,  e cila do të mbahet në BKSH u përshëndet nga drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani dhe drejtori i BKK “Pjetër Bogdani”, Bedri Zyberaj, me prezencën e  Ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

“Të kthejmë vëmendjen tek lexuesi i  ri dhe të përpiqemi të  krijojmë në hapësirën e bibliotekës  një vend të dashur për fëmijët dhe moshat e vogla. Edukimi me librin, si dhe edukimi përmes artit mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, por edhe një sfidë për një qasje të re komunikimi me lexuesin. E vlerësoj tematikën e kësaj konference, e cila ka në thelb të zhvillimit të saj teknologjitë e reja të komunikimit. Duhet të punojmë fort sot që të përgatisim lexuesin e së nesërmes. Bashkëpunimi institucional me Kosovën në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë për vitin 2014 mbetet një nga bashkëpunimet më të suksesshme të dy ministrive respektive të kulturës,  e cila nuk u realizua vetëm si një marrëveshje institucionale, por e zgjeroi kalendarin artistik të një hapësire të përbashkët edhe me nismat e lira artistike e kulturore jashtë këtij formati zyrtar. Ju premtoj se në vitin e ardhshëm do të kemi  një kalendar edhe më të pasur në projekte dhe ide”- u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja Kumbaro.

Synimi i kësaj konference është trajtimi i problematikave që lidhen me zhvillimin e mendimit profesional në fushën e shkencës së bibliotekonomisë, me funksionimin e sistemit të bibliotekave në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë të veçantë në kuadrin e sfidave globale euro-amerikane e botërore.

Në Konferencë do të marrin pjesë autoritete të drejtimit dhe menaxhimit të bibliotekave kombëtare, universitare, publike etj., si dhe specialistë të bibliotekonomisë nga të dy vendet.

Konferenca do të organizohet dy ditë, një ditë në Tiranë dhe një ditë në Elbasan.

Në ditën e parë të kësaj konference kumtesa do të lexojnë: profesor Shaban Buza (Ndikimi i informacionit në krijimin e profilit të kërkuesit), Etleva Domi (Arena e dijes – Teknologjia – Aftësimi në informacion), Aida Braho, (Aftësimi në informacion: bibliotekat dhe bibliotekarët si aktorë kryesorë në ekologjinë e konfiguruar nga TIK), Liridon Zekaj (Biblioteka në kohën “share”), Enilda Kola e Brunilda Tahiri (Ëebografia tashmë realitet edhe për bibliotekat shqiptare), Ramazan Vozga (Kërkimi bibliografik dhe mjetet e kërkimit të informacionit në epokën digjitale), Ramush Zeka (Një shoqëri e informacioni për të gjithë), Majlinda Toçi (Bibliotekari i referencës në epokën digjitale), Nexhmije Kastrati (Teknologjia në shërbim të informacionit. Bibliotekat dhe komuniteti), Flamur Maloku ( Biblioteka, civilizimi, kultura dhe informacioni).

Ndërkaq, në ditën e dytë të konferencës, e cila do të mbahet në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan, kumtesa do të lexojnë: Drita Cankja do ta paraqesë funksionimin e bibliotekës publike “Qemal Baholli” në Elbasan, Miranda Bakiasi e Erion Sulaj të Bibliotekës së Universitetit të Arteve në Tiranë, Alketa Tiku të Këndit Amerikan të BKSH-së në Tiranë, Venera Alliaj të Bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kurse Genc Haxhiu të Këndit Amerikan në BKK në Prishtinë.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e hapjes së kësaj konference të edicionit të nëntë  ka botuar edhe tekstin e “Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë” të edicionit të tetë, në të cilën janë përfshirë ligjërata nga fusha e bibliotekarisë, veçanërisht nga koleksionet kombëtare e kujtesa kombëtare.{:}