Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, i cili u nënshkrua më 13 shkurt 2014 mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës, në datat 15 dhe 16 Prill 2014, Teatri Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizon “Takimin Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe“, me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në qendër të takimit do të jetë diskutimi mbi dramaturgjinë shqipe dhe problemet me të cilat ndeshen autorët, dilemat dhe problemet që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë; ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë? Takimi do të përqëndrohet në disa tema të rëndësishme si:

Dramaturgjia shqipe dhe temat e rëndësishme të historisë dhe të aktualitetit

Historia e Shqipërisë, biografitë e udhëheqësve, luftrat e panumërta që shqiptarët kane kaluar, shumë pak janë trajtuar në shkrimet e dramaturgëve tanë. Drama e mirëfilltë investiguese, drama e mirëfilltë biografike, drama provokuese historike, janë me pikatore në fondin e dramaturgjisë shqipe.

Teknika e shkrimit dhe dega e dramaturgjisë

Dramaturgjia ndërthur elemente të letërsisë dhe i përkhthen në gjuhën e skenës. Gjuha skenike është e varfër, skema profesionale e ndërtimit të veprave dramatike është në kufijtë e instiktit. Dramaturgët shpesh janë konvertuar në shkrues nga komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve. Kjo është një praktikë e njohur që funksionon me sukses absolut edhe në botë, por atje ka një sërë hallkash që e përpunojnë profesionalisht dialogun. Ndërkohë, kemi shumë pak të rinj që shkruajnë. Shkolla jonë nuk e ka degën e dramaturgjisë.
Sa vlejnë këto konstatime dhe pyetje për realitetin në Kosovë? Sa ka ndikuar shkolla e dramaturgjisë për këto 20 vite në Kosovë për krijimin e dramës?

Teatri dhe drama shqipe

Shpesh herë është shtruar pyetja: A kemi krizë të dramaturgjisë shqipe? Po kaq herë është shtruar pyetja: A kemi krizë të teatrit shqiptar në pergjithësi? Po ashtu: A është kriza e teatrit pjesë e rëndësishme e krizës së dramës shqipe? A mund të ketë Teatër Kombëtar dhe teater shqiptar pa dramën shqipe?

Projekt ide “Laboratori i Dramës Shqipe”

Një traditë e hershme e shkrimit të dramave ka qenë ajo e punës pranë teatrit. Dramaturgët më të mëdhej të botës i kanë shkruar kryeveprat e tyre së bashku me aktorët e kompanive që drejtonin. Kjo traditë shume vite më parë ka qenë edhe në Shqipëri dhe veprat e shkruara kanë qenë shumë më cilësore. Në të njëjtën kohë, përzgjedhja e dramave për programin e teatrove  (keto 20 vjetët e fundit) përgjithësisht ka qenë rrjedhim i njohjeve personale. Nuk ka funksionuar asnjë strategji per të evidentuar prurjet më të mira.

Dramaturgjia shqipe dhe shoqëria

Roli i shtetit dhe politikat inkurajuese për dramën shqipe: Çfarë mund të bëhet më shumë nga strukturat shtetërore për të nxitur krijmtarinë e dramaturgëve tanë?

Festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe: A ka ardhur koha që të funksionojë si një institucion i mirëfilltë, i mirëfinancuar, i përqendruar dhe i përvitshëm “Festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe”?

Kritika dhe Drama Shqipe

Paragjykimin e cilësisë së dramës shqipe e ka rritur së tepërmi dhe kritika e zbehtë teatrore. Analizat në formën e qokave, duke lartësuar miqtë dhe zbehur “armiqtë”, nuk e kanë ndihmuar promovimin e vlerave të spikatura të krijimit. Kur themi se autorët duhet të diskutojnë midis tyre për probleme të ndryshme të dramaturgjisë, këtyre debateve duhet t’i paraprijë kritika profesionale, me dëshirën e mirë për të zbuluar dhe nxitur çdo fillesë interesante apo çdo element të dobishëm. A ka ardhur koha që të nxisim mendimin e kritikëve, veçanërisht të të rinjve, në mënyrë që gjithçka t’i nënshtrohet proceseve normale që bashkëshoqërojnë krijimtarinë e dramës shqipe?

Takimi do të nisë ditën e martë, 15 Prill ora 16:30- 21:00 dhe  ditën e mërkurë 16 Prill ora 9:00-13:00.

Eventi ne Facebook Eventi në Facebook: facebook.com/events/326645634127382{:}