Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të larguar drejt Italisë me Arbërinë në mendje e në zemër, ata ruajtën dhe farkëtuan dritën e Kutjesës së “Dheut mëmë” në shekujt e gjatë të errësirës. Nën peshën e rëndë të mërgimit që u kishte dhënë Historia, duke mos e lënë të tretej kujtimi i “Motit të madh” dhe i Heroit të tyre Gjergj Kastrioti, ata ushqenin ëndrrën e madhe të lirisë, për të gjithë ne”.

Me këto fjalë Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro përshëndeti 150 përfaqësues të komunitetit arbëresh që udhëtuan drejt Tiranës për të marrë pjesë në aktivitetet në kuadër të shpalljes Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut .

Personalitete të larta të politikës shqiptare,ambasadorë, historianë, artistë etj, u pritën nga Ministrja Kumbaro në një pritje Gala në Pallatin e Brigadave, së bashku me përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, komunitet që farkëtoi në shekuj dritën e kujtesës së dheut mëmë, duke mos e lënë të tretej kujtimi i “Motit të madh” dhe i Heroit të tyre Gjergj Kastrioti.

“Në zemrën e kombit shqiptar Skënderbeu jeton prej më shumë se 5 shekujsh e gjysëm, si një gur themeli pa të cilin ngrehina jonë identitare nuk do të qëndronte dot. Teksa i kujtonte popullit të vet se lirinë nuk ia kishte sjellë ai por e kish gjetur mes tij, ai formulonte një nga mësimet më të mëdha të historisë: liria vjen së pari nga zemra e më pas nga shpata”- u shpreh Ministrja Kumbaro në fjalën e saj përshëndetëse.

Për studiuesin Mateo Mandala “Kjo është hera e parë që komuniteti arbëresh mori një ftesë zyrtare nga shteti shqiptar dhe që e pranoi jo vetëm me kënaqësi, por edhe me zili. Ky takim është një ngjarje që na prek shumë si arbëreshë, sepse është një datë historike që do të shënohet në kalendarin tonë të përjetshëm”.

“Ky frymëzim i pashoq që vjen prej figurës së Heroit Gjergj Kastrioti fiton gjatë viteve të Shtetit të pavarur shqiptar jo vetëm simbolikën kombformuese por tashmë edhe atë shtetformuese, cilësi që nuk do ta bjerrë më kurrë. Por ai është njëkohësisht Skënderbeu i shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni, Greqi e Mal të zi, në Diasporat e afërta e të largëta, të hershme e të reja”- u shpreh më tej në fjalën e saj Kumbaro.

Emocionuese ishte edhe fjala e studiuesi Françesko Altimari I cili theksoi se “Jehona e bëmave të tij largpamësia e tij politike na siguroi mbijetesën. Ne jemi gjallë sot pas vdekjes së tij, e na ringjalli figura e tij. Duke festuar ditën e vdekjes së tij, ne paradoksialisht festojmë një ringjallje që ai na siguroi ne”.

Ai u shpreh se arbëreshët gjetën te figura e Gjergj Kastriotit pasaportën e parë me të cilën u përfaqësuan.

“Dhe e gjej frymëzimin edhe unë po te një arbëresh, poeti Zef Skiro Di Maxho i Pianës Albanese – i cili shkruante vargun befasues “Kruja është zemra e botës” – për të pohuar sot para jush, teksa të pranishëm në këtë sallë nuk jemi vetëm ne por miliona zemra e mendje shqiptare kudo në botë, në këtë çast sa kremtues aq reflektues të këtij 550-vjetori, të pohojmë së bashku se “Gjergj Kastriot Skënderbeu është zemra e përjetshme e Shqipërisë, ështe zemra e zjarrtë e të gjithë shqiptareve”- përfundoi Kumbaro fjalën e saj përshëndetëse në Pallatin e Brigadave.{:}