Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Kulturës ka zgjedhur stendën e vet në Festivalin e Librit dhe Artit për të shpallur nismën më të re “Një kafene & një libër” që ka synim krijimin e hartës së kafeneve letrare në kryeqytet.

Krijimi i kësaj harte mbetet një sfidë për ministrinë, por duke parë interesin në rritje të disa bareve në Tiranë që po përpiqen të nxisin të rinjtë drejt librit apo aktiviteteve të kësaj natyre, mendojmë që është koha e duhur për t’iu ofruar partneritet dhe kësisoj për të nxitur këtë prirje të shëndetshme për kulturën shqipëtare në përgjithësi dhe për librin dhe lexuesin në veçanti.

Synimi i vërtetë është nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive e sidomos të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, editorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë. Kjo do të rriste potencialisht edhe rolin e kafeneve të tilla si streha lexuesish dhe  shkrimtarësh të rinj premtues, që mund të nxiten, sikundër e ka treguar përvoja europiane dhe botërore e letërsisë, nga një klimë e tillë pozitive ndaj artist dhe letërsisë.

Për të realizuar nismën, në këtë Festival do të shpallet një thirrje për të gjitha ato subjekte që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj ideje dhe që janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në zgjerimin e një harte të kafeve letrare. Këtu do të shpallen edhe kriteret falë të cilave Ministria e Kulturës do të bëjë përzgjedhjen dhe njëkohësisht do të vlerësojë me një simbol – logo ato kafe që i plotësojnë kriteret e shpallura.{:}