Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nis zbatimi i projektit “Biletaritë Elektronike në Sitet e Trashëgimisë Kulturore & Muzeve në Shqipëri”. Projekti zhvillohet mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Qëllimi i këtij projekti është të garantojë instalimin dhe administrimin e suksesshëm të biletarive elektronike në site të trashëgimisë kulturore dhe muzeve në Shqipëri. Nisma për vendosjen e biletarive elekronike e mbështetur nga AADF synon të arrijë njohje të plotë të të ardhurave të gjeneruara nga këto site dhe muze, si dhe të implementojë mekanizma qëndrueshmërie në vetëadministrimin e tyre. Në strategjinë e Fondacionit për të mbrojtur dhe promovuar kulturën, biletaritë elektronike shihen si një nga masat specifike të ndërmarra për të zgjidhur kufizimet financiare të siteve kulturore dhe muzeve në Shqipëri. Me anë të këtij programi, AADF do të instalojë 6 biletari elektronike në këto site kulturore dhe muze të rëndësisë së veçantë, si: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë;  Muzeu Gjergj Kastrioti dhe Muzeu Etnografik, KrujëKalaja e Beratit dhe Muzeu Onufri, Berat; Parku Arkeologjik i Apollonisë, Fier; Kalaja Rozafa, Shkodër; Kalaja e Gjirokastrës, Gjirokastër.

Ministria e Kulturës do të propozojë pranë Këshillit të Ministrave që të ardhurat nga shitja e biletave dhe aktiviteteve të tjera në sitet dhe muzetë subjekt të këtij programi do t’i mbeten siteve dhe muzeve, të cilat do të administrohen nëpërmjet një plani financiar dhe strategjik të paramiratuar. Njëherësh MK do të ofrojë mbështetje institucionale për programin për çdo çështje që mund të ofrohet nga Ministria, ose departamentet që varen nga ajo, do të  koordinojë aktivitetet me institucionet e pavarura të jashtme si Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Shkencor i Muzeve për mbarëvajtjen e ndërhyrjeve infrastrukturore. Ministria e Kulturës angazhohet të ndihmojë në krijimin e mekanizmave të pagesës elektronike me bankat e nivelit të dytë në zonat kulturore dhe turistike në Shqipëri, që janë subjekt i këtij programi.

16 tetor, ora 13.30, Muzeu Historik Kombëtar{:}