Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

DHEU IM
MOS MË ZEZÒ,
MOS U KTHE NË SHUSHAMË.
TË KAM MBAJTUR, MBAMË!

Në rrethet letrare dhe akademike Xhevahir Spahiu është poeti më i dashur, “një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria”, cilësuar nga Dritëro Agolli.Të hënën më 2 mars, me rastin e 70-vjetori të lindjes,  Akademia e Shkencave do të organizojë një takim me shkrimtarin. Ndërsa “Poeteka” do të organizojë në sallën e Teatrit të Metropolit aktivitetin “Ora poetike” në orën 19.00.

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Që nga ky vit e deri më sot ai ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si “Ti qytet i dashur (1973)”, “Vdekje e perëndive (1977)”, “Dyer dhe zemra të hapura (1978)”, “Poezia shqipe (1990)”, “Kohë e krisur (1991)”etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000, në dy vëllime me të njëjtin titull, “Udha”. Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun duke e bërë anëtar të saj.

Vlerësime për poetin Xhevahir Spahiu
“Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”
Dritëro Agolli

“Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij…”
Ante Popovski
Shkup, 1998

“Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.”
Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995){:}