Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kuadrin e Paktit për Universitetin, ishte radha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për të lidhur marrëveshje me Universitetin e Arteve. Sipas kësaj marrëveshjeje, studentët e fakulteteve të ndryshme të UA, mund të kryejnë praktika, stazhe, të kenë lehtësira për hulumtimin e materialeve arkivore, etj., sipas interesave përkatëse. Më herët Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Arteve ka nënshkruar marrëveshje me Teatrin Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, Teatrin Kombëtar Eksperimental, Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve.

Në këtë ceremoni nënshkrimi, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh: “Që në momentin kur nënshkruam marrëveshjen me Universitetin e Arteve, qëllimi ynë ka qenë që ato të konkretizohen dhe të mos mbeten thjesht në letër. Mosqasja e studentëve me institucionet tona është një problem i vjetër, por do të doja që tani e tutje fokusi të ishte pikërisht te ata. T’u hapet institucioni, arkivat, të drejtohen për t’u impenjuar në tema të caktuara, të marrin pjesë nëpër konkurse. Edhe pse e gjithë vëmendja është drejtuar tek bashkëkohorja, do të sugjeroja ngritjen e kalendarëve të posaçëm aktivitetesh, me takime me studentë, me shfaqje filmash, sepse siç e kam thënë dhe më herët, kjo zonë duhet të kthehet në një qendër kulturore në periferi të Tiranës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një fillim i mirë, por ka vend për rishikime, për shtesa dhe nëse studentët do të kenë kërkesa të tjera në vijim, ne të mund t’u përgjigjemi, me të tjera shtesa”.

Rektori i UA, Kastriot Çaushi u shpreh: “Kjo është një marrëveshje sa e vjetër edhe e re, pasi edhe në kohën kur ne ishim studentë bënim praktika në Kinostudio dhe shihnim fima të arkivit. Por nuk bëhet fjalë vetëm për filmin, por edhe për elementë të muzikës, kostumografisë… Por kjo nuk lidhet vetëm me studentët, por është edhe angazhim i pedagogëve, për t’i përfshirë në procesin mësimor..

Është një iniciativë shumë e mirë, na hapen dyert dhe ne bashkëpunojmë. Më duket e domosdoshme për procesin mësimor”.

 

Drejtorja e AQSHF, Iris Elezi: Jam shumë e lumtur që kjo marrëveshje po nënshkruhet sot, sepse fatkeqësisht studentët nuk i afrohen sa duhet këtij institucioni që ka një pasuri të jashtëzakonshme. Do të doja që të bëhej punë konkrete dhe marrëveshja që mos mbetej në letër, në mënyrë që të shohim frutet.

Duke shfrytëzuar rastin, rektori i UA, Kastriot Çaushi falenderoi Ministren Margariti për gatishmërinë për të qenë vetë në terren dhe për të identifikuar pasojat e tërmetit në ambientet e UA.

“E falenderoj që ishte përpara meje për të parë dëmet e tërmetit në hapësirat e Universitetit të Arteve. Është një qëndrim koherent i saj prej janarit kur ëhstë vendosur në këtë pozicion. Do të doja ta falenderoja publikisht për impenjimin maksimal karshi institucionit tonë”, tha Çaushi.

 

Pikat e marrëveshjes:

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka detyrimet si mё poshtë:

  • Tё ofrojё stazhe dhe praktika për studentёt e Universitetit tё Arteve dhe tё verё nё dispozicion tё tyre fondin arkivor pёrrealizimin e punёve dhe detyrave shkollore, kёrkimeve dhe studimeve me pёrfitim tё ndёrsjelltё pёr tё dyja institucionet tona.

 

  • T’u krijojё kushtet studenteve tё UART pёr hulumtim në fondin filmik (dhe xhirime të reja) me qëllim përgatitjen e videospoteve promovuese për AQSHF-në, për shpërndarje në rrjete sociale. Asistencë me programin e AQSHF Albania On Film. (studentë të programit të studimit Regji dhe Regji Filmi dhe Televizioni).

 

  • T’u krijojё kushtet studenteve tё UART pёr hulumtim në fondin filmik dhe në fondet e tjera artistike që disponon AQSHF për shkrimin e temave dhe artikujve studimorë që u nevojiten në detyrat universitare por edhe që do të përdoren për t’u përfshirë në një botim studimor të do të bëjë AQSHF mbi kinematografinë shqiptare.

 

  • Tё pranojё studentёt e UART për kryerjen e internshipeve të fokusuar në tematikat e mëposhtme:

– studim i muzikës së filmit shqiptare nga studentët e Fakultetit të Muzikës dhe organizimin e aktiviteteve muzikore,

– digjitalizimi i koleksionit të partiturave origjinale në fondin e AQSHF-së,

– digjitalizimi i fototekës dhe skedimi i fotove të digjitalizuara,

– punime grafike murale në muret e jashtme të vendruajtjeve të fondit filmik në AQSHF nga studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura,

– animatorë në programet e edukimit,

 

  • Ndërgjegjësimi dhe orientimi i shijeve të studentëve në kinematografinë shqiptare dhe të huaj duke projektuar (në 35mm ose digital) dhe analizuar filma të spikatur të kinematografisë shqiptare dhe botërore, filma të kinemasë ballkanike, etj.. Gjatë këtyre projeksioneve do të jenë të ftuar artistë dhe specialistë të filmit që kanë punuar dhe kanë qenë pjesë e rëndësishme e produksioneve dhe krijimeve artistike. Profesionistë me emër nga gjithë proceset krijuese si: Regjisorë, Operatorë, Piktorë filmi, Skenografë, Kostumografë, Kompozitorë, Inxhinierë Laboratori, Montazhierë, Producentë etj., që diskutojnë me studentët dhe i tregojnë eksperiencat e tyre duke i frymëzuar ato.

 

  • Tё pranojё studentёt e UART si asistentё salle në shfaqjet e Kinematekës që do të organizojë AQSHF. Pjesëmarrje aktive në organizimin e aktiviteteve duke i lënë studentëve të interesuar hapësirë për të propozuar idetë e veta për punën dhe proceset në fjalë.

 

  • Tё bashkёpunojë me Universitetin e Arteve dhe tё garantojё pjesëmarrje tё studentёve nё aktivitete, shfaqje, forume e debate mbi kinematografinё qё do tё organizohen nga AQSHF si dhe nё tё gjitha ëorkshop-et profesionale kombёtare dhe ndёrkombёtare nё fushën e ruajtjes dhe restaurimit tё trashёgimisё kulturore qё do tё organizojё AQSHF.

{:}