Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nisi në Tiranë  panairi i 17-të të librit, ngjarja më e rëndësishme mbarëkombëtare në këtë fushë.

Ky aktivitet përkon me 200 vjetorin e lindjes së poetit të madh Jeronim De Rada, shpallur nga Ministria e Kulturës si vit i De Radës. Shumë aktivitete rinore e shkencore u shtrinë përgjatë gjithë vitit, simpoziume, konferenca, studime për autorin të cilat arritën pikën kulmore me botimin e plotë të veprës së komentuar, që u promovua në datë 12 nëntor në Akademinë e Shkencave, me praninë e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Për herë të parë  ky autor ‘kthehet’ në tokën mëmë në një vepër monumentale, ku bashkohen Shqipëria, Kosova dhe Arbëreshët e Italisë.

Duke i uruar shumë sukses veprimtarisë më të rëndësishme të librit shqip, autorëve, shtëpive botuese, lexuesit të librit dhe aktiviteteve të De Radës, Ministria e Kulturës kërkon të bëjë me dije për opinionin publik  pozicionin e saj zyrtar  në lidhje me informacionin e pasakte te perhapur për mungesën e saj si institucion mbështetës në Panairin e Librit 2014.

Risjellim në vëmendje të publikut se Shoqata e Botuesve Shqiptarë, aplikoi për financim të Panairit në thirrjen e parë të shpallur nga Ministria e Kulturës për projekt-propozime (15 janar – 14 shkurt 2014).

Në këtë aplikim kërkohej financim për zërin “arredim panairi”, në shumën 2 milion lekë të reja pa asnjë specifikim. Për këtë arsye Kolegjiumi konstatoi se aplikimi ne fjalë nuk plotësonte kërkesat e dokumentacionit financiar sipas kritereve të publikuara nga Ministria.

Natyrisht, ishte në vullnetin e Shoqatës së Botuesve të merrte pjesë, ose jo, në thirrjen e dytë që Ministria e Kulturës organizoi për aplikime për projekte kulturore që u zhvilluan në muajin maj. Në këtë thirrje të dytë Shoqata e gjykoi të mos paraqitej me projektin e Panairit por me nje tjetër projekt studimor për nivelin e lexueshmërisë, për çka edhe mori mbështetje financiare.

Kujtojmë gjithashtu që në ditët e para të punës së saj , Ministria e Kulturës, edhe pse në kushte të vështira financiare, e mbështeti Panairin e Librit 2013, me 1.5 milion lekë të reja, duke theksuar fort se objektiv i ministrisë  është që libri të shihet si vlerë dhe jo si mall.

Në vijim të politikave të saj të mbështetjes së krijuesve dhe kulturës së leximit por edhe të përhapjes së letrave shqipe përtej kufirit, Ministria e Kulturës financioi në masën 100% pjesëmarrjen e Shoqatës së botuesve në Panairin e Librit në Laipcig me shumën 10 mijë euro. Me keqardhje Ministria konstatoi se stenda e realizuar nga Shoqata e Botuesve në atë panair linte shumë për të dëshiruar. Veç të tjerave, ajo stendë kishte përjashtuar nga imazhi i botimeve shqiptare shumë  shtëpi botuese shqiptare që kanë dhënë dhe japin kontribute te vyera në botimet shqiptare.

Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë librin, autorin, krijuesin dhe çdo aktivitetet promovues dhe nxitës në fushën e librit. I tillë është krijimi i  Fondit për përkthimin letrar (FPL), me synimin të nxisë dhe mbështesë financiarisht përkthime të veprave të rëndësishme artistike të letërsisë evropiane dhe asaj botërore në gjuhën shqipe, apo pjesëmarrja në rrjetin evropian të librit TRADUKI, apo CREATIVE EUROPE, duke theksuar në këtë mision të rëndësishëm se: “Do jemi pranë kulturës së leximit ndaj ju bëjmë thirrje të rinjve të kthejnë sytë nga libri dhe të mos e humbasin leximin”.{:}