Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4801]

Sapo ka dalë në qarkullim libri i Atjonit Zhitit, i ndarë nga jeta në një moshë tepër të re me titull, “PËR ATË QË DUA(M)”.
Libri botohet nga “EUETPRESS” dhe u përurua në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës të dielën në 30 gusht, ditën kur Atjoni do të mbushte 20 vjeç.
“Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore…
Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika.”
Në libër janë prezantuar shqetësimet e Atjonit, mënçuria studentore, ëndrra për një të ardhme më të mirë, të cilën e priste më shumë nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…
Është interesant fakti se revista e PEN Clubit Italian, ku Atjon Zhiti ishte anëtari më i ri, kur studionte për filozofi në Milano, në numrin e saj të fundit në faqen e librave të reja të autorëve të njohur që bëjnë pjesë në këtë organizatë të madhe, ka njoftuar dhe botimin shqiptar të Atjon Zhitit.
Presidenti i PEN-it italian, poeti Sebastiano Grasso dëshmon se e adhuronte djaloshin nga Shqipëria për çiltërsinë dhe inteligjencën, për interesat e tij të shumta dhe kurajon qytetare për të vepruar. Sebastiano Grasso tha se “Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin”. Libri ka 229 faqe me ese dhe statuse në fcb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporas, deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda.
Libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë  e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…”
Atjon Zhiti ndërroi jetë një vit më parë në moshën 19-vjeçare.{:}