Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të nderuar anëtar të Këshillit të Investimeve, përfaqësues të biznesit, partnerë ndërkombëtarë dhe kolegë të sektorit publik,

Është një kënaqësi e veçantë që të drejtoj sot këtë mbledhje të Këshillit të Investimeve, një instrument i pazëvendësueshëm për të nxitur më tej fuqizimin e ekonomisë sonë dhe markës “made-in Albania” në Europë dhe më gjerë.

Vit pas viti, eksportet tona janë rritur duke arritur vlera të paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë. Ekonomia jonë vijon të jetë një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në rajon.

Gjithashtu, janë rritur investimet e huaja direkte, produkt direkt i besueshmërisë së shtuar mbi qëndrueshmërinë dhe dinamizmin e ekonomisë sonë.

Megjithatë, unë mendoj se kemi potential për të bërë shumë më tepër dhe kjo është edhe arsyeja që na bën bashkë këtu. Jo vlerësimi për gjithë sa kemi arritur, por ambicja për të arritur shumë më tepër!

Tema që na bashkon sot, “Për Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Aksesit në Tregje të Produkteve Shqiptare Me Standarde Evropiane” është tejet aktuale dhe me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë sonë.

Në këtë drejtim, siç ju jeni të informuar, më herët gjatë qershorit u publikua Raporti i Konkurrueshmërisë, produkt i një pune voluminoze të OECD, në bashkëpunim me stafin e MEKI-it, institucionet e përfshira dhe ekspertë ndërkombetarë.

Mbi 440 indikatorë cilësorë dhe sasiorë, të ndarë në 15 kapituj të ndryshëm, provojnë se Shqipëria është lider rajonal në 14 prej këtyre kapitujve.

Konkretisht, ne kemi bërë progres të rëndësishëm në politikat e punësimit, turizmit dhe tregtisë, në mjedis e bujqësi, në energjim, në rritjen e aksesit në financë, politikat anti-korrupsion, edukim, shoqërinë dixhitale, inovacion, etj.

Megjithatë, më lejoni të përsëris veten se në realitetin e ri në të cilin gjendet vendi, i cili për herë të parë përpara vetes ka një perspektivë reale për integrimin në Bashkimin Europian, të gjitha këto janë të pamjaftueshme.

Në kushtet e sotme, përputhja me standardet europiane nuk është më thjesht një qëllim, por një domosdoshmëri për të siguruar pjesëmarrjen tonë në tregun unik evropian.

Nuk është e mjaftueshme që të përparojmë, por është gjithmonë edhe më e rëndësishme që të mbërrijmë!

Shqipëria mund të negociojë shumëçka me partnerët europianë në rrugëtimin e integrimit, por standardet e produkteve dhe të shërbimeve nuk janë pjesë e kësaj liste. Ato janë kusht i domosdoshëm për plotësimin e suksesshëm të këtij rrugëtimi.

Gjetjet nga raporti që na është paraqitur tregojnë qartë se, ndërsa ekziston një ndërgjegjësim i lartë në komunitetin e biznesit për rëndësinë e standardeve, sfidat mbeten të mëdha.

Nevojat për kualifikim dhe ekspertizë të shtuar, kostot e larta dhe shkëmbimi i informacionit mes sektorit publik dhe atij privat mbeten ende të pamjaftueshme, duke qenë kësisoj pengesa që kërkojnë angazhim të përbashkët për t’u kapërcyer.

Qeveria shqiptare, si dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbeten të angazhuara plotësisht për të mbështetur sipërmarrjen shqiptare për plotësimin sa më të shpejtë, e me sa më pak kosto të kërkesave të detajuara të tregut të përbashkët.

Ky proces ka hyrë tashmë në një drejtim pa kthim dhe sektori privat shqiptar duhet të jetë i ndërgjegjshëm jo vetëm për t’i përshtatur këto kërkesa, por për t’i paraprirë këtyre ndryshimeve duke punuar që në krye të herës me këto kërkesa në mendje.

Me fjalë të thjeshta, le të mos kujtohemi tek trau i doganës kur eksportojmë që duhen edhe këto certifikata cilësie apo origjine, por të fillojmë të prodhojmë edhe pa na e kërkuar njeri me standartet më të larta që na lejojnë akses në çdo treg të huaj.

MEKI, së bashku me ekspertët e AIDA-s, ka filluar të konceptojmë krijimin e një portali unik për të gjithë eksportuesit tanë, ku përtej njohurive mbi mundësitë e tregjeve të huaja, do ofrohet dhe një informacion i përbashkët mbi certifikimet e standardet për produktet e shërbimet e ndryshme, si dhe proceset për përfitimin e tyre.

Besoj se kjo do të jetë një platformë e mirëpritur, që do të mbështesë 24/7 dhe pa kosto sipërmarrjet eksportuese.

Por, më shumë se çdo gjë tjetër, dua të nënvizoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat.

Vetëm përmes dialogut të hapur dhe veprimit të koordinuar mund të arrijmë që produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet evropiane dhe më gjerë.

Ndaj, ju ftoj të gjithëve të kontribuoni me ide dhe propozime konkrete, duke shfrytëzuar këtë forum për të adresuar çështjet më urgjente dhe për të identifikuar hapat që duhet të ndërmarrim së bashku për të arritur objektivat tona të përbashkëta.

Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Tani, i ftoj përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve të prezantojnë gjetjet kryesore nga raporti dhe pastaj do të hapim diskutimin për të gjithë të pranishmit.