Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Projektligji “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”, ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe vlerave të respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare. Këto janë vlera të përbashkëta që ndajmë me shtetet anëtare të BE-së, për një shoqëri në të cilën mbizotëron pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave.

Projektet në këtë fushë synojnë mbrojtjen, promovimin dhe ndërgjegjësimin për të drejtat, duke ofruar mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile aktive në nivel lokal, rajonal dhe ndër-rajonal në promovimin dhe kultivimin e këtyre të drejtave, duke forcuar gjithashtu mbrojtjen dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjit dhe duke kontribuar në ndërtimin e një Unioni më demokratik, dialogut demokratik, transparencës dhe qeverisjes së mirë. të të drejtave të njeriut në fuqi, duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara aktive në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe inkurajuar pjesëmarrjen qytetare dhe demokratike, në mënyrë që të mbështeten dhe zhvillohen më tej shoqëritë e hapura, të bazuara në të drejta demokratike të barabarta dhe gjithëpërfshirëse.

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” është në përputhje me programin qeverisës për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore me vendet e tjera. Gjithashtu është në përputhje me vizionin për të zhvilluar, forcuar, stimuluar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë, të drejtave dhe barazisë gjinore, pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve, të drejtave dhe parandalimit dhe luftës të të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve, të rinjve dhe grupeve të tjera në rrezik.

Shqipëria ka marrë angazhimin për të qenë pjesë e këtij Programi, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për pjesëmarrjen në Programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” më datë 27 dhjetor 2023.

Historiku i anëtarësimit të Shqipërisë në program, daton nga viti 2015, kur është ratifikuar me ligj Marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin “Evropa për Qytetarët”. Ky Program ka patur si qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve lokale, publike, organizatave nga vende të ndryshme, të lehtësojë zhvillimin e ndjenjës së përkatësisë në idealet e përbashkëta Evropiane dhe të nxisë procesin e integrimit evropian. Në zbatim të kësaj Marrëveshjeje, ish-Ministria e Kulturës ka qenë institucioni përgjegjës për menaxhimin e Programit “Evropa për Qytetarët”.

Gjatë zbatimit të këtij Programi, për vitet 2017 – 2019 Shqipëria ka përfituar mbështetje për 50 projekte, ku aplikantët shqiptarë kanë përfituar kryesisht si koordinatorë dhe partnerë në projekte që promovojnë identitetin europian, të kaluarën, bashkëpunimin ndërmjet njësive të qeverisjes vendore në të gjithë Europën, aksionet e shoqërisë civile etj. Përfitues nga Programi janë bashkitë e Librazhdit, Shkodrës, Finiqit, Tiranës, Vlorë, Shijak, Roskovec, Lezhë, Patos etj.; institucione arsimore si Universiteti i Tiranës, gjithashtu edhe organizata të ndryshme.

Me përfundimin e programit “Evropa për Qytetarët” për vitet 2014-2020, Bashkimi Evropian miratoi programin e ri “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” për vitet 2021 – 2027. Në këtë kuadër, në funksion të vijimësisë së këtij partneriteti, Ministria ka shprehur vullnetin dhe marrë angazhimin për miratimin e projekt-marrëveshjes duke e parashikuar në Planin e Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2023 dhe në fondet buxhetore, biletën hyrëse për këtë program.

Të nderuar deputetë, nëpërmjet kësaj Marrëveshje synohet të ofrohet mbështetje për projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar, që përfshijnë organizata në sektorët e të drejtave të njeriut, promovimit të demokracisë, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve nga vende të ndryshme që marrin pjesë në program. Programi “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” ka një rëndësi të veçantë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e ndjenjës së përkatësisë në komunitetin e përbashkët evropian, si dhe për mbështetjen e projekteve që kanë si qëllim edukimin e brezave, promovimin e pjesëmarrjes dhe kontributin e qytetarëve dhe shoqatave përfaqësuese në jetën demokratike dhe qytetare të Bashkimit Evropian.

Ky projektligj ka synimin të nxisë konkurrencën dhe potencialin ekonomik të operatorëve shqiptarë që operojnë në fushat e mbeshtetura nga programi; të nxisë shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të vendeve të ndryshme, veçanërisht përmes binjakëzimit të bashkive dhe rrjeteve të qyteteve të inkurajojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërmjet organizatave brenda Evropës dhe më gjerë; të mbrojë dhe promovojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, për përfshirjen e tyre aktive dhe pjesëmarrjen e plotë në projektet e programeve të parandalojë dhe luftojë në të gjitha nivelet dhe formave të dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave dhe dhunës në familje, etj,.

Zbatimi i Marrëveshjes

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të jetë institucioni përgjegjës për menaxhimin e Programit në Shqipëri duke paguar një tarifë vjetore anëtarësimi, me qëllim pranimin e aplikimeve nga subjektet shqiptarë si: Shoqatat, organizatat rajonale dhe subjekte të tjerë të shoqërisë civile për krijimin e partneriteteve me organizata / shoqata rajonale dhe evropiane.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të krijojë strukturat dhe mekanizmat e duhura në nivel kombëtar dhe do të miratojë të gjitha masat e tjera të nevojshme për koordinimin dhe organizimin kombëtar të aktiviteteve për zbatimin e Programit.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Program do të monitorohet vazhdimisht nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Gjykata e Audituesve të Bashkimit Evropian në bazën e partneritetit që përfshin Komisionin dhe Shqipërinë; Rregullat në lidhje me menaxhimin e mirë financiar, duke përfshirë kontrollin financiar, rikuperimin dhe masat e tjera kundër mashtrimit në lidhje me financimin e Unionit.

 

Të nderuar deputetë,

shkurtimisht theksova rëndësinë e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, ndaj parë nën këtë dritë, ju ftoj ta votoni “pro” këtë projektligj!