Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nga 24 deri në 31 gusht, në kuader të projektit “La Bête et l’Adversité”, mbajtur në rezidencen Utopiana, në Gjenevë, kolektivi Àjáso eksperimenton rrugë të reja për ta paraqitur gjallërisht La passion selon G.H.

Grupi Àjáso është një kolektiv ndërkombëtar profesorësh dhe doktorantësh në filozofi të angazhuar qe prej tetorit te 2013 në një kërkim teorik dhe praktik rreth performancës filozofike. Puna e tij ka qenë subjekti i dokumentarit, “Àjáso, une philoperformance”, realizuar në 2014, nga Gentian Koçi, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëpunim me projektin Erasmus Mundus Europhilosophie dhe Ministrinë e Kulturës. Në këtë rezidencë marrin pjesë kineasti shqiptar Gentian Koçi dhe Blerina Hankollari, doktorante në filozofi.

E zhgënjyer, e vendosur për të mos shkruar më asgjë, romancierja-filozofe braziliane, Clarice Lispector, në fundin e vitit 1963, pasi kishte ndërprerë veprën e saj letrare për 7 vjet, shkruan me një vrull të beftë një nga tekstet më të mëdhenj romaneske dhe filozofike të shekullit XX-të: Pasioni sipas G.H. Libri u ka lëne vend shumë përshtatjeve teatrale, veçanërisht leximit-performancë, realizuar në 2006 nga filozofi Jean-Luc Nancy, në bashkepunim me artistin vizual François Martin dhe muzikantin Rodolphe Burger, në Universitetin e Québec-ut dhe Montréal-it.

Bara(t)ha: Performanca e grupit Àjáso nuk propozon një lexim apo një vënie në skenë të monologut të gjatë të Lispector, por realizimin e saj në formën e gjesteve, tensioneve trupore, zanore dhe praktike, të cilat bëjnë të ekzistojë, konkretisht dhe dhimbshëm, shkëputja e pashmangshme me njerëzoren, ballë për ballë me shikimin stërgjyshor të një kacabuje barkshqyer, materia e gjalë e të cilit përbën tundimin më të skajshëm, tundimin e çnjerëzores, tundimin për të mos menduar, për të mos përparuar nga mendimi në mendim, pa shpresën më të vogël, pa pritshmërine me te zbehte, në të tashmen me te çastshmen. Duke performuar tekstin e Lispector, grupi drejton në ketë mënyrë një teori në akt të performancës si të tillë, për aq sa ajo është mjeti i privilegjuar për zhbërjen e rendit njerëzor të mendimit përmes prodhimit të akteve dhe imazheve pastërtisht aktuale.

Anëtarët e këtij projekti janë: Behrang Pourhosseini (Iran), muzikant, kurator, Soufiane Mezzourh (Marok), doktorant ne filozofi, Gentian Koçi (Shqiperi), regjisor, Blerina Hankollari (Shqiperi), doktorante në filozofi, Jasmina Jovanovic (Serbi), poete, Daeseung Park (Koreja e Jugut), fotograf, Angel Alvaredo Cabellos (Peru), zhurmist, Farah Beji (Tunizi), doktorante në filozofi, Jean-Christophe Goddard (France), profesor i filozofisë në Universitetin e Toulouse.

http://utopiana.ch/2015/baratha/

24-31 gusht 2015, Gjenevë{:}