Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Katër artistë nga Mali i Zi, Shqipëria, Rajoni Molise dhe Rajoni Puglia në Itali, morën pjesë në laboratorët dy javorë Monet, duke filluar nga 30 qershori deri në 12 gusht 2020. Laboratorët, nisur nga situata aktuale e pandemisë, u mbajtën në rrjet nën kujdesin e kuratorit Artan Shabani.

 

Të katër artistët u zgjodhën nga vendet pjesë të projektit Monet: Ervin Dauti nga Shqipëria, Snezana Bulatovic nga Mali i Zi, Raffaele Vitto dhe Antonio Finelli nga Italia. Në këtë program dyjavor, artistët u njohën me sitet kryesore muzeale të Shqipërisë dhe eksploruan formatin dixhital të këtyre platformave të artit. Gjithashtu, katalogë të ndryshëm PDF, imazhe dhe artikuj u përdorën si referencë për diskutim. Katalogët përfshinin vepra kryesisht nga artistë shqiptarë të periudhës para dhe pas viteve 90, artistë bashkëkohorë si dhe nga periudha historike e shekullit XX. Veprat e artit të artistëve bashkëkohorë janë dokumentuar në edicione të ndryshme të ‘Onufri’.

Marrëdhënia midis artistëve në këtë laborator, punimet krijuese dhe diskutimi mes tyre ishin një mundësi dhe përvojë e shkëlqyer e përshtatur me situatën e krijuar nga pandemia globale. Një nga qëllimet kryesore të laboratorëve ishte inkurajimi i rritjes profesionale dhe përfshirja e artistëve në procese dhe diskutime për të stimuluar krijimtarinë dhe për të promovuar Artin. Të katër artistët bashkëkohorë pjesëmarrës në laboratorë zhvilluan dhe prezantuan me sukses idetë e tyre individuale.

Në veprën e saj, Snezana Bulatovic – “Koncepti Utopia”, sistemi i dualitetit të Utopisë përfaqësohet përmes instalimit të artit në mur, motivet janë arkitektura dhe ambienti i vendeve mesdhetare, lidhja midis së kaluarës dhe së tashmes, roli dhe ndikimi i individëve dhe shoqërisë, si njëra pasqyron tjetrën. Ilustrimi bardh e zi u zgjodh për të përfaqësuar atmosferën e paradigmës utopike, ku fryma e vendit është e lidhur thelbësisht me njerëzit në të. Ndërsa vizitorët lëvizin nëpër hapësirën në galeri, ata do të vërejnë se si imazhi në pasqyra nuk është kurrë i njëjtë, dhe në atë lëvizje, tregohet dualiteti i qetësisë së artit dhe reagimi i audiencës.

Vepra e artistit Antonio Finelli – “Trupi” vjen si pasojë e një studimi të gjatë të fytyrës dhe trupit të njeriut. Artisti është i mahnitur nga lëkura, shtresa e jashtme e trupit tonë, ajo që merr të gjitha ndjesitë, emocionet dhe informacionin nga mjedisi përreth.

Autori beson se lëkura përshkruan përvojën tonë dhe përmes saj, është e mundur të njihet jeta e secilit individ, si një “hartë e jetës” – zbulohet jeta e individëve. Për realizimin e veprës, artisti shpesh përdor mbështetës natyralë të prodhuara me dorë nga artizanët të cilët përmes punës së tyre transmetojnë të gjitha emocionet dhe njohuritë e tyre në produktet që bëjnë. Prandaj, për pjesën e prodhuar vecanërisht për projektin ai zgjodhi të përdorë një letër tërësisht të punuar me dorë nga një fabrikë letre historike italiane si bazë për vizatimin. Letra e rrudhur me teksturat e saj të ndryshme bëhet kështu “lëkura” e vizatimit.

 

Për veprën e tij, “Vallja”, artisti Ervin Dauti është frymëzuar nga vallja tradicionale dhe kostumet popullore shqiptare. Piktura është një paraqitje e një situate të panjohur. Lëvizja ndërvepruese tregon pavarësinë e shpirtit për të eksploruar role dhe ide të reja. Fuqia fizike theksohet nga përdorimi i ngjyrës së kuqe në sfond. Ngjyra e kuqe gjithashtu simbolizon forcën dhe gjallërinë. Kontrasti midis elementeve dhe atmosferës në pikturë përfaqëson ndryshimet midis perspektivave të reja dhe të vjetra.

 

Puna e Raffaelle Vitto përfaqësohet përmes kthimit në ar të tre porcioneve të matësit të shiut, një instrument me të cilin matet sasia e shiut të rënë në tokë. Në këtë rast, secila pjesë (një për tremujor) është shuma e matjes mesatare të ujit të shiut për ditët e vitit gjatë 2019, pikërisht në tokën ku artisti ka punuar që nga fëmijëria e hershme. “Quando piove zappa Cristo” është një thënie italiane që shpjegon se si shiu në të vërtetë është një pasuri, pothuaj si ari që zbret nga qielli, i cili në momentin e zbritjes i jep fermerit të palodhur, një ditë pushimi. Kur bie shi ujërat rinovohen, rezervat e planetit pasurohen, gjithçka dhe të gjithë më në fund mund të shuajnë etjen e tyre.

 

Laboratorët vijnë në funksion të projektit Monet, thelbi i të cilit është krijimi i një modeli rrjeti në mesin e muzeve në Shqipëri, Mal të Zi dhe Itali, duke përdorur një metodologji të përbashkët dhe duke zhvilluar shërbime dhe mjete të reja. Në këtë drejtim, projekti ka për qëllim promovimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore përmes valorizimit të muzeve, në aspektin e menaxhimit dhe shërbimeve. Lejimi i muzeve për t’u bashkuar me një lloj të ri të menaxhimit ndërkufitar duhet të përmirësojë ofertën turistike dhe kulturore dhe rrjedhimisht rrjedhat e vizitorëve. Si rezultat, kjo do të nxisë rritjen e turizmit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonomik në zonat e përfshira që kanë mundësi të ndryshme natyrore dhe kulturore.

 

 

{:}