Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

U kujtuan në ish-burgun e Spaçit, tre martirë të fjalës së lirë, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, pushkatuar 40 vjet më parë. Ish-të dënuar në Spaç, si Fatos Lubonja, Bedri Çoku e Shkëlqim Abazi, lexuan dhe ndanë me të pranishmit kujtimet nga rrathët e ferrit. E pranishme në këtë përkujtimore, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës, vende të tilla duhet të ruhen si qendra dialogu për brezat e rinj. “Ne sot jemi këtu, jo për të ngritur mure, por hapësira dialogu; për t’i dhënë kuptim këtij vendi kujtese, i cili është i lidhur me të shkuarën, por më së shumti i flet së ardhmes; që më shumë se prindërve, u përket bijve”, tha Margariti. Aktiviteti organizohej nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe me mbështetje të ambasadës së Republikës së Austrisë.{:}