Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhaj ka bërë me dije se 847 familje do të mund të përfitojnë nga financimi prej 490 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Ministri e ka cilësuar këtë mbështetje financiare si një hap të madh drejt përmirësimit të jetesës për shumë familje në nevojë.

Në total janë shpallur fituese për Projektin e Investimeve të Strehimit Social 22 bashki, ku këto projekte do të adresojnë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.
Familjet që përfitojnë nga ky projekt janë: 11% familje me ndihmë ekonomike; 21.6% të moshuar pa përkrahje;13.2% persona me aftësi të kufizuara; 10% minoritet rom dhe egjiptian; 2.5% familje me një prind; 2% familje me gra kryefamiljare; 3.2% emigrantë të rikthyer; 2% viktima të trafikimit;34.5 % kategori të tjera sipas ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.

Shpërndarja e fondeve do të bëhet sipas planit ku, 57 milionë lekë janë për adaptimin e objektit dhe kthimin në banesë sociale për strehimin e 35 familjeve në kushte të vështira ekonomike, në Bashkinë Mat. Më tej, 335 milionë lekë për programin e “Përmirësimit të kushteve të banimit” për 547 familje në 19 bashki. Gjithashtu, 98 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale për 265 familje, që i përkasin kategorive të strehimit social.