Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në edicionin e tij të tretë Festivali Ndërkombëtar “PIANODROM” zbret në skenën shqiptare muzikantë me një reputacion të lartë artistik ndërkombëtar, nga ShBA, Japonia, Anglia, Gjermania, Italia dhe Shqipëria. por edhe të rinj që sapo kanë filluar karrierën e tyre artistike. Ata do të ngjyrosin me tinguj klasikë, paraklasikë dhe bashkëkohorë sallën e Universitetit të Arteve nga data 14 Shtator deri në 23 Nëntor 2015!

Rrugëtimi i suksesshëm dhe eksperienca e dy edicioneve të para të festivalit , ku morën pjesë pianistë nga shumë vende të botës, artistë të shkëlqyer që ekzekutuan vepra nga repertori më i ndritur i muzikës klasike dhe bashkëkohore, të huaj dhe shqiptare, bënë që këtë vit të thellohet akoma edhe më shumë atë që ky festival nisi që në edicionin e dytë të tij: zhvillimin e kompozicionit në muzikën shqiptare. Etrita Ibrahimi, Drejtore Artistike e Festivalit “PIANODROM” shprehet se “Këtë vit do të kemi 9 koncerte me muzikë të re, të krijuar enkas për këtë edicion të festivalit nga kompozitorët më në zë, por edhe nga ata më të rinj që tashmë i janë prezantuar denjësisht skenës muzikore. I tillë është koncerti  “Neë Intelligence – Neë Animus – New Sonoris”, ku kompozitorët e rinj do të kenë mundësinë të prezantojnë krijimet e tyre më të reja. Po kështu koncerti  “Lëmi”  është një tjetër ide e re, sipas së cilës 8 kompozitorë, tashmë të njohur, do të shkruajnë veprën e tyre mbi një strukturë nga “Fyejt e Gramshit”.

Prania e muzikës shqiptare në këtë edicion do të jetë më e lartë (66%) se ajo e trashëgimisë botërore dhe ky është një fakt shpresëdhënës për ecurinë e muzikës sonë. Tashmë mund të themi se ky festival, më i madhi dhe më i rëndësishmi në gamën e veprimtarive kulturore që zhvillohen në vendin tonë, e formoi më së miri profilin e tij, traditën e tij dhe fitoi besimin e gjithanshëm të pjesëmarrësve dhe të sponsorizuesve. Ky edicion do të sjellë 14 mbrëmje koncertale, ku përsëri do të ekzekutohen nga pianistë të huaj dhe shqiptarë shumë vepra të literaturës shqiptare dhe botërore, klasike dhe kontemporane dhe ku mbrëmjet e recitaleve pianistike do të gërshetohen me mbrëmje të talenteve të reja të shkollës shqiptare, duo, trio, etj..

Gjeografia e këtij edicioni është shumë e gjerë, pasi do të interpretohen vepra të Alberto Ginastera, Mutsuo Shishido, Iannis Xenakis, Olivier Messian,Georges Ligeti Simon Holt, Christian Mason, etj. – pra, do të kemi autorë nga Argjentina, Japonia, Greqia, Franca,Hungaria Rusia, Anglia, etj.  Skena do të mirëpresë 90 vepra, ndër të cilat 32 nga trashëgimia botërore. Veprat shqiptare do të jenë 58, prej të cilave 55 janë premierë botërore, 22 vepra të kompozitorëve të rinj, 11 sonata (7 prej të cilave janë shqiptare), e shumë gjini të tjera instrumentale.  Fakti që në këtë skenë për rreth 2 muaj do të ngjiten pianistë dhe instrumentistë me nivel të konsiderueshëm artistik, nga SHBA, Japonia, Anglia, Republika Çeke, Italia dhe Shqipëria, është për t’u vlerësuar edhe nga publiku artdashës shqiptar, i cili, ashtu si edhe në dy edicionet e mëparshme, besojmë se do të përjetojë kënaqësitë që të blatojnë kompozitorët dhe instrumentistët e devotshëm dhe seriozë të muzikës së dhomës.

Risia më e veçantë e këtij edicioni do të jetë revista “Pianodrom” online, e cila do të jetë mjaft e pasur me informacione mbi koncertet e festivalit, të kompozitorëve, të instrumentistëve që janë pjesë e tij, por edhe atyre që kanë qenë pjesëmarrës të dy edicioneve të para.

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Arteve.

Info: www.pianodromonline.com

/ International Piano Festival, Third Edition.

14 Shtator/September – 23 Nëntor/November 2015

Universiteti i Arteve (Salla e Madhe) / Arts University (Main

Concert Hall) – Sheshi ‘’Nënë Tereza’’ Tiranë{:}