Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Hajde t’flasim për lirinë” është motoja e edicionit të sivjetëm të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Festivali zgjedh këtë moto duke marrë shkas nga sulmet e fundit në revistën satirike parisiene “Charlie Hebdo”, ku u vranë 12 persona.

Debate do të mbahen edhe në Kosovë në edicionin e pestë të këtij festivali, i cili ka nisur në datën 22 maj 2015.

Emra të njohur të shkrimtarësh e kritikësh gjatë tri ditëve do të diskutojnë për tri tema që lidhen me lirinë e shprehjes. “Si ta mbrojmë lirinë e medieve”, “Liria dhe shtypja në shtetet e Ballkanit: Krijimi i alternative kulturore dhe politike si platformë për të ardhme të përbashkët”, “Liria, letërsia dhe censura: Çka na lejohet të shkruajmë në këto kohë? Si ndikojnë tregu, e kaluara, politika dhe religjioni në letërsi?”, janë temat që do të hapen në këtë edicion, i pesti me radhë. Në panel diskutimi do të jenë shkrimtarë, kritikë e studiues. Fatos Kongoli, Biljana Srbljanoviq, Veton Surroi, Tanja Sljivar, Elfriede Czurda, Alida Bremer, Arian Leka, Ervina Halili…janë disa prej tyre. “Polip” organizohet nga “RK LINKS / Beton International” në Beograd në bashkëpunim me qendrën “Multimedia” të Prishtinës.

 

“Nuk ka botë tjetër, përveç kësaj të cilën ne e bëjmë me pjesëmarrjen tonë. Letërsia është pjesë përbërëse e saj dhe liria është zemra e ekzistencës së saj. Na duhet po ashtu liria e letërsisë që festivali ndërkombëtar i letërsisë ‘Polip’ e promovon më shumë se kurrë. Hajde t’flasim për lirinë”, është thirrja që diskuton në këtë edicion festivali  “Polip”.

 

Jeton Neziraj, drejtor i qendrës “Multimedia”, ka thënë se ky festival në çdo edicion ka një fokus tematik. Tema për lirinë apo kufizimin e saj ka qenë e pashmangshme.

“Kosova nuk është ndonjë ‘oaz i lirisë së shprehjes’. Përkundrazi”, ka thënë Jeton Neziraj. Rast për të dëshmuar këtë është djegia e librit të Veton Surroit, vitin e kaluar, në disa qytete të Kosovës. Ky shembull, sipas Nezirajt, tregon se deri ku mund të arrijë padija dhe dhuna ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë artistike.

22-25 maj 2015, Prishtinë{:}