Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tirana Art Lab – Qendra për Art Bashkëkohor vazhdon të ekspozojë  “Poshtë- Lart”,  “Downside up”, me punët e Arbër Elezit, Lori Lakos dhe Igli Marionit.

Tirana Art Lab në këtë ekspozitë të dytë dedikuar artistëve emergjentë shqiptarë, për vitin 2016, përzgjodhi përmes një thirrje të hapur, artistët Arbër Elezi, Igli Marion dhe Lori Lako. Përzgjedhja nuk ishte fryt i një gare midis pjesëmarrësve. Ҫ’ka përcaktoi përzgjedhjen ishte aftësia e përbashkët për të problematizuar çështjet aktuale dhe urgjencat e kontekstit ku jetojnë apo kanë lindur, si dhe për t’i shprehur nëpërmjet gjuhëve të artit; së dyti, angazhimi artistik për t’i rezistuar trysnisë së problemeve; dhe, në fund, koherenca, jo vetëm për të rezistuar, por edhe për t’u frymëzuar prej realiteteve bashkëkohore.

Problematikat prej të cilave marrin shkas punët e artistëve, që ekspozohen sot në TAL, janë të gjithëditura (21 Janari – Arbër Elezi; rrënojat urbane dhe sociale – Lori Lako; veset e “njeriut të ri” neo-liberist – Igli Marion), por të papritura janë qasjet përkundrejt tyre. Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës.

 

ARBËR ELEZI – lindur në Berat më 1988, është diplomuar me notën maksimale në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences (Itali). Vepra e tij, ekspozuar midis Italisë dhe Shqipërisë, spikat për shumëllojshmëri në media si pikturë, video-art, instalacion, performancë e fotografi, ku dallohet prirja për të eksploruar dhe shteruar të gjitha trajtat e kërkimeve artistike.

 

IGLI MARION – lindur në Fier më 1988, është diplomuar për Financë dhe Tregje Ndërkombëtare në Universitetin e Ferrarës (Itali). I angazhuar në disa ekspozita në Italia, Shqipëri, Francë e Gjermani punon kryesisht me mediumin e pikturës. Si autodidakt, dallohet për punën e tij ekspresive, që shpesh herë organizohet në cikle të tëra mbi të njëjtën tematikë.

 

LORI LAKO – lindur në Pogradec më 1991, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence (Itali). Punët e saj kryesore, të ekspozuara në Itali, Shqipëri e Gjermani, janë në media video, fotografi dhe pikturë, ku rol kryesorë zënë kërkimet artistike mbi çështjet historiko-sociale dhe hapësirat heterotopike e heterokronike të shoqërive në tranzicion.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 tetor 2016

Orari : E Mërkurë – E Shtunë, 16:00 – 20:00

Info: tiranaartlab.org{:}