Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Spektakli më i ri i koreografit franko-shqiptar Angelin Preljocaj do të shfaqet më 4 tetor 2017 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Bëhet fjalë për Premierën ndërkombëtare të krijmtarisë së tij të re, e cila mbahet ende “sekret”, e shoqëruar nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 “Un trait d’Union”, një kërcim trup me trup “poetik dhe pasionant” i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud.

Angjelin Preljocaj  dhe TKOB nisën  bashkëpunimin në vitin 2014, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, e cila nisi me vizitën e suksesshme të Ministres Kumbaro dhe takimin me homologen e saj, Aurelie Filippetti .

Bashkëpunimi në nismën e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro ka për qëllim forcimin e lidhjeve artistike ndërmjet Baletit Preljocaj dhe Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, jo vetëm në fushën artistike, por edhe në fushën e mësimdhënies.

Koreografi i mirënjohur Angjelin Preljocaj në bashkëpunim me trupën e baletit  të Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ka realizuar  në Tiranë baletin  “La Stravaganza”  dhe  “Dasma”, vepra dinjitoze që i shtohen repertorit të TKOB-së.

“Unë jam thellësisht i lidhur me vendin e origjinës çdo pjesë e imja e vënë në skenë në mënyrë direkte ose jo, reflekton brendinë time dhe origjinën time. Gjithë ajo që unë kam nga Shqipëria, letërsia, leximet edhe kur tema nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë apo përkatësinë time etnike, është e qartë, dhe sensi im kombëtar ndihet kudo”- u shpreh Preljocaj pas premierës së baletit “Noces” në Tiranë.

Spektakli “Un trait d’Union”, realizohet me mbështetjen e bankës Société Générale Albanie, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Kabinetit Boga & Associates dhe Teatroskop-it në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskop është një program i krijuar nga Instituti Francez, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme.{:}