Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kalendari artistik 2014 në Teatrin Kombëtar vazhdon me premierën “Liri në Bremen”, e autorit Rainer Werner Fassbinder , me regji të Sesilia Plasarit, me aktorët Ndriçim Xhepa,Gladiola Harizaj, Anastas Kristofori, Vasjan Lami/Pjerin Vlashi, Aneta Malaj, Sokol Angjeli, Bujar Asqeriu, Anila  Bisha, Naun Shundi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Anil Frashëri.
Vepra frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë e Bremenit të vitit 1831. Ekzekutimi i fundit publik me prerje koke në këtë qytet të Gjermanisë, ishte ai i një gruaje që kish helmuar  me arsenik pesëmbëdhjetë persona të familjes e të rrethit të saj. Gjenia e autorit Rainer Werner Fassbinder nxjerr nga kjo ngjarje e kronikës së zezë një tragjedi agresivisht ‘naïve’ të jetës sociale. Personazhi kryesor i veprës, Geshja e tij, prezantohet  si një luftëtare spontane e përpjekjes së gruas për emancipim. Dhunën e saj e pjell ëmbëlsia e saj dhe ajo ç`ka duket si diabolike vjen nga marrëdhënia e saj me zotin, nga respekti për atë çka ajo e ndjen si të shenjtë :  Ajo vret për të çliruar shtypësin,  njësoj edhe të shtypurën. Pjesa është një lloj parabole tragjikomike e vështirësisë, ose më mirë e pamundësisë për t’u emancipuar në kushtet e një bote të cilën nuk e rrotullojnë vlerat e vërteta humane (dashuria, respekti dhemshuria), por materializmi, lufta për mbijetesë, indiferenca, cinizmi dhe agresiviteti. Në një botë të tillë marrëdhëniet bëhen gjithnjë e më vrastare, si shpirtërisht, edhe fizikisht ; kjo botë ha pjellat e veta. Pjesa eshte ndërtuar si një alegori e mënyrës sesi ngjizet fashizmi, fenomeni i dhunës dhe diktatura.
Para-premiera e datës 21 nëntor do të jetë e hapur për komunitetin artistik dhe median, ndërsa të gjithë adhuruesit e teatrit, i mirëpresim në premierën e datës 22 nëntor ora 19:00.

Rezervoni të parët sot me SMS në numrin 50020 me tekst: TK numrin e biletave dhe emrin e personit që i rezervon.

21, 22, 23 nëntor, ora 19.00, TK.
Teatri Kombëtar në Facebook: facebook.com/pages/Teatri-Kombetar/65249967120
{:}