Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ka nisur puna për rikonstruksionin e godinës kryesore të Korpusit të Universitetit të Arteve. Falë investimit të Qeverisë, rreth 950 studentë dhe mbi 100 pedagogë të Universitetit të Arteve, do të kenë kushte më të mira pune, studimi e krijimi. Së bashku me rektorin e UA, Kastriot Çaushi dhe zbatuesit e projektit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi ditën e mërkurë një inspektim në ambientet e punës, duke i mëshuar ruajtjes së të gjithë elementëve të ndërtesës- monument kulture.

Projekti parashikon rikonstruktimin e të gjitha ambienteve të brendshme, duke ua përshtatur nevojave të pedagogëve dhe studentëve, rinovimin e sistemeve elektrike e ngrohëse, restaurimin e fasadës monumentale, pa prekur vlerat e saj historike etj. Sipas ritmeve të punimeve, parashikohet që fillimi i semestrit të dytë t’i gjejë punimet e përfunduara.{:}