Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=2992]

#DokuFest ishte fjala e ditës sot në Ministrinë e Kulturës, ku Ministrja Mirela Kumbaro dhe organizatorët mbajtën një konferencë për shtyp për të prezantuar Festivalin para medias e publikut.

Edicioni i kësaj radhe vjen me një fytyrë provokuese, me temën “Corruption”, shkruar me trëndafila rozë në afishen zyrtare të Festivalit. “Ky është edhe një qëllim i festivalit”, – shprehet drejtori artistik Veton Nurkollari, – “të provokojë biseda mbi një fenomen ekzistues me të cilin nuk duam të pajtohemi. Është mirë të flitet për të nëpërmjet filmit, me një program të posaçëm filmash tematikë, por edhe të krijohet debat. Ne synojmë të prekim audiencën fizike të festivalit me rreth 60.000 mysafirë, por edhe më gjerë nëpërmjet mbulimit mediatik”.

Ministrja Kumbaro përshëndeti festivalin dhe theksoi se ndihet krenare që Ministria e Kulturës e mbështet këtë festival për të tretin vit radhasi si pjesë e kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. “Por mbi të gjitha jam krenare se DocuFest është një markë e konsoliduar dhe agjent ndërkombëtarë i diplomacisë kulturore. Tani nuk është DokuFest që ka nëvoje për mbështetje financiare, por institucionet kanë nëvojë për DokuFestin për të dëshmuar se cfarë mund të arrijë skena e pavarur e artit.” Ministrja Kumbaro mbylli fjalën e saj, duke uruar suksese organizatorëve e premtuar mbështetje të vazhdueshme për edicionet pasuese të festivalit.

Do të jetë një festival me një program të ngjeshur si asnjëherë tjetër. Plot 240 filma do i prezantohen publikut në 9 ditë, të përzgjedhur nga 5000 aplikime me një punë shteruese 6 mujore. Por ama mbi të gjitha, përzgjedhje cilësore, ku disa nga filmat në garë, janë gjithashtu kandidatë për Oscars, e me siguri, disa, do ta fitojnë atë. Përpjekje të veçanta nga organizatorët për të patur premiera botërore, duke rrëzuar trendin ku filmat shqiptarë shfaqen së pari në festivale të huaja, e më pas në atdhe. E të tillë ka 12 filma, ku 8 janë nga Kosova. Një hapësirë e veçantë edhe për filmin me metrazh të shkurtër.

Ky edicion shënon disa risi: Një skenë e re në Kalanë e Prizrenit e quajtur Sunset Stage. Gjithashtu, një minifestival paralel i muzikës, ku pritet të performojnë yje të skenës ndërkombëtare.

#Dokufest do të mbahet në Prizren nga data 5-13 gusht 2016. Më datë 4 gusht, hapja e “butë”, me një ekspozitë unike fotografish nga fotografi i mirënjohur irlandez Seamus Murphy, puna e të cilit do të paraqitet edhe më tej gjatë festivalit, e sidomos bashkëpunimi i tij me PJ Harvey.

 

Ju presim në Prizren 5-13 gusht 2015 me plot surpriza të tjera.

Programi i festivalit: http://dokufest.com/sq/programi/orari-interaktiv/{:}