Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministri Blendi Gonxhja, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prezantuan sot në Shkodër “Paketën e Maleve”, një ligj i ri i cili është ura lidhëse e të drejtës zakonore me të drejtën ligjore.

Një nga pikat kryesore të kësaj pakete është mbështetja e sipërmarrësve që zgjedhin të investojnë në këto zona, 500 sipërmarrësit e parë që do të përfitojnë nga kjo paketë do të kenë përfitime të konsiderueshme fiskale: ata do të jenë të përjashtuar nga taksat dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për një periudhë 10-vjeçare.

“Ky është një hap konkret për të mbështetur zhvillimin ekonomik të zonave malore dhe për të inkurajuar kthimin e diasporës në Shqipëri”, deklaroi Kryeministri Rama gjatë prezantimit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i “Paketës së Maleve” është ndikimi që ajo mund të ketë në kthimin e emigrantëve shqiptarë. Duke u ofruar lehtësi ligjore dhe fiskale për investimet në pronat e trashëguara, qeveria synon të krijojë kushte të favorshme për ata që dëshirojnë të rikthehen dhe të ndërtojnë një të ardhme në Shqipëri.

Ministri Mazniku theksoi se ky ligj do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm për të nxitur zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrive të tjera që mund të zhvillohen në këto zona të pasura me potencial natyror.

Me zbatimim e “Paketës së Maleve”, qeveria synon të sjellë një ndryshim të madh në zhvillimin e zonave malore, duke i kthyer ato në qendra të rëndësishme të ekonomisë kombëtare dhe duke i dhënë banorëve mundësi të reja për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme në vendin e tyre.